Liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, ka konfirmuar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pasi vendimi i fundit i gjykatës i hapi rrugën një gare të katërt për Pallatin Elysee.
Le Pen u dënua me një vit arrest shtëpiak, ndërsa ndalimi për të kandiduar në poste publike u ul nga pesë vjet në vetëm 15 muaj, duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale. Ajo ka njoftuar se do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Kasacionit për të shmangur mbajtjen e byzylykut elektronik gjatë fushatës.
“Francezët do të gjykojnë”, deklaroi Le Pen, duke shtuar se do të garojë së bashku me Jordan Bardella, të cilin e ka propozuar si kandidat për kryeministër nëse fiton zgjedhjet.
Sipas legjislacionit francez, apelimi në Gjykatën e Kasacionit pezullon përkohësisht zbatimin e dënimit. Megjithatë, nëse gjykata e lartë e rrëzon ankimimin para zgjedhjeve, Le Pen mund të detyrohet të zhvillojë pjesën finale të fushatës nën arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Pavarësisht sfidave ligjore, sondazhet e fundit e rendisin Le Pen në vendin e parë në raundin e parë të zgjedhjeve me rreth 32% të votave. Megjithatë, Jordan Bardella rezulton edhe më popullor, me rreth 36%, duke nxitur spekulime për një rivalitet të mundshëm brenda Tubimit Kombëtar (National Rally).
Analistët politikë vlerësojnë se një përplasje mes tyre është pak e mundshme. Bardella konsiderohet besnik ndaj Le Pen, ndërsa strukturat kryesore të partisë dhe grupi parlamentar vijojnë të mbështesin lideren historike të së djathtës ekstreme.
Në planin politik, Le Pen pritet të mbajë një linjë euroskeptike, duke kërkuar uljen e kontributit të Francës në buxhetin e Bashkimit Evropian dhe politika më të ashpra ndaj emigracionit. Ajo ka deklaruar se, nëse zgjidhet presidente, do të propozojë ndryshime kushtetuese për t’i dhënë përparësi ligjit francez ndaj atij evropian në çështjet e emigracionit.
Në ekonomi, Le Pen vijon të mbështesë një rol më të madh të shtetit në mbrojtjen e industrive kombëtare, kundërshton marrëveshjet e tregtisë së lirë, si ajo me vendet e Mercosur-it, dhe synon rikthimin e moshës së pensionit nga 64 në 62 vjeç, një nga pikat që vazhdon të ngjallë skepticizëm në qarqet ekonomike franceze.
Platforma zyrtare elektorale e Tubimit Kombëtar pritet të prezantohet gjatë vjeshtës, ndërsa vendimet përfundimtare mbi programin do të merren nga vetë Marine Le Pen si kandidate presidenciale.