“Majat e Ballkanit”, shtegu që po ringjall fshatrat malorë

18 Nov 2026 • 10:25
Shpërndaje:

Shtegu turistik “Majat e Ballkanit”, që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, po shndërrohet në një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet malore, duke nxitur zhvillimin e turizmit dhe rikthimin e banorëve në vendlindjet e tyre.

Një reportazh i revistës ndërkombëtare Condé Nast Traveler vë në pah ndikimin e këtij itinerari prej rreth 192 kilometrash, i cili përshkon Bjeshkët e Nemuna dhe lidh fshatra që dikur ishin të izoluara nga kufijtë, konfliktet dhe emigracioni.

Sipas një studimi të publikuar në fund të vitit 2025 në revistën shkencore Journal of Outdoor Recreation and Tourism, rreth 43 mijë alpinistë e përshkojnë itinerarin çdo vit, duke gjeneruar mbi 25 milionë euro për ekonominë e zonave malore.

Reklamë Ola

Bujtinat familjare, mundësi për rikthimin e banorëve

Reportazhi sjell historitë e familjeve në Dobërdol, Valbonë dhe Rugovë, të cilat kanë shndërruar shtëpitë tradicionale në bujtina për vizitorët ndërkombëtarë.

Reklamë InterMedika

Në fshatin Drelaj të Kosovës, Blendi Lajqi tregon se familja e tij ishte larguar gjatë luftës së viteve 1998–1999, ndërsa zhvillimi i turizmit u krijoi mundësinë të riktheheshin dhe të investonin në pronën e tyre.

Edhe në Valbonë, turizmi ka sjellë mundësi të reja për fermerët dhe bizneset familjare, duke rritur kërkesën për produkte vendase dhe shërbime turistike.

Suksesi sjell edhe sfida për turizmin malor

Megjithatë, rritja e numrit të vizitorëve ka krijuar mbingarkesë në disa segmente të njohura, veçanërisht në Dobërdol, Theth dhe Valbonë.

Operatorët turistikë theksojnë nevojën për shpërndarjen më të ekuilibruar të vizitorëve, duke promovuar shtigje alternative dhe destinacione më pak të frekuentuara, përfshirë zonat malore të Kosovës.

Itinerari i plotë përshkohet zakonisht për 10 deri në 13 ditë, ndërsa sezoni kryesor i ecjeve malore zgjat nga qershori deri në shtator.

Përtej peizazheve natyrore, reportazhi thekson se vlera e veçantë e “Majave të Ballkanit” qëndron te mikpritja tradicionale dhe mundësia që turizmi u ka dhënë komuniteteve lokale për të ruajtur shtëpitë, kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës.