Lecornu përballë protestave në Francë, nxjerr 10 milionë fuçi diesel nga rezervat për të ulur çmimet

07 Oct 2026 • 20:56
Shpërndaje:

Qeveria franceze do të nxjerrë 10 milionë fuçi naftë diesel nga rezervat strategjike, në përpjekje për të ulur çmimet e karburanteve dhe për të zbutur pakënaqësinë sociale që po përshkallëzohet në vend. Njoftimi u bë të mërkurën nga kryeministri Sébastien Lecornu. 

Duke iu drejtuar qytetarëve nga Matignon, Lecornu tha se masa pritet të sjellë një ulje të çmimit të naftës me rreth 12 deri në 18 cent për litër. Sipas tij, operacioni për vënien në dispozicion të rezervave do të zgjasë rreth tre muaj. 

Vendimi vjen pas marrëveshjes së vendeve të G7 për mobilizimin e koordinuar të rezervave strategjike, në një kohë kur tregjet energjetike po përballen me presione të forta si pasojë e luftës në Iran dhe pasigurive mbi furnizimet. Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare shënuan rënie të mërkurën pas vendimit për përshpejtimin e nxjerrjes së rezervave. 

Reklamë Ola

Njoftimi për karburantet ishte vetëm një nga çështjet që Lecornu trajtoi në një moment tensionesh të forta sociale në Francë. Një ditë më parë, qindra mijëra persona kishin marrë pjesë në protestat e nxënësve të shkollave të mesme, të mbështetura edhe nga mësues, sindikata dhe qytetarë të tjerë. Sipas autoriteteve, pjesëmarrja ishte rreth 266 mijë persona, ndërsa organizatorët folën për rreth 450 mijë. 

Kryeministri pranoi se pakënaqësia e të rinjve lidhet me probleme konkrete në sistemin arsimor, mes tyre gjendja e godinave, mungesa e mësuesve dhe organizimi i orareve.

Reklamë InterMedika

“Zemërimi i të rinjve nuk lindi nga hiçi”, deklaroi Lecornu, duke premtuar se përgjigjet e para konkrete të qeverisë do të paraqiten gjatë këtij muaji. Ekzekutivi ka hapur gjithashtu një platformë publike ku nxënësit mund të paraqesin kërkesat dhe shqetësimet e tyre. 

Kreu i qeverisë iu drejtua edhe fermerëve francezë, një tjetër kategori e prekur nga vështirësitë ekonomike dhe pasojat e krizave të fundit. Ai njoftoi se masa të reja mbështetëse do të prezantohen të enjten, duke iu shtuar paketës emergjente që tashmë parashikon mbi 1 miliard euro financime.

Franca po përballet kështu njëkohësisht me protestat në arsim, presionin nga rritja e çmimeve të karburanteve, pakënaqësinë e fermerëve dhe debatet e vështira për buxhetin e vitit 2027.