Lavrov paralajmëron përshkallëzim pas telefonatës së Putinit me liderët nordikë

27 Oct 2026 • 20:33
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet, pas telefonatës së presidentit Vladimir Putin me presidentin finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre.

Sipas Reuters, Lavrov deklaroi se biseda nuk solli propozime të reja për zgjidhjen e konfliktit. Ai akuzoi gjithashtu vendet evropiane se po përpiqen të sigurojnë një rol në negociata.

Telefonata u zhvillua me nismën e dy udhëheqësve nordikë, të cilët i kërkuan Putinit t’i japë fund luftës dhe të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve.

Reklamë Ola

Stubb dhe Støre theksuan se rezultati i konfliktit ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendeve të tyre dhe të Evropës. Presidenti finlandez e përshkroi bisedën si të drejtpërdrejtë, ndërsa kryeministri norvegjez vuri theksin te nevoja për shtensionim.

Kremlini deklaroi se një paqe e qëndrueshme kërkon marrjen plotësisht në konsideratë të interesave të Rusisë. Moska akuzoi BE-në dhe NATO-n se politikat e tyre po zgjasin luftimet.

Reklamë InterMedika

Pas telefonatës, dy udhëheqësit informuan presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit kërkoi hapa konkretë për uljen e sulmeve ndaj infrastrukturës dhe sistemit energjetik të Ukrainës.

Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një raund të ri bisedimesh me ndërmjetësimin amerikan, që pritet të mbahet në Abu Dabi në fillim të nëntorit.

Palët mbeten larg një marrëveshjeje për përfundimin e luftës së nisur me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.