×
Friday, May 8, 2026

Lamallari vizitë në Policinë e Nju Jorkut: Shkëmbim eksperience me NYPD dhe takim me efektivët shqiptarë

May 7, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë të veçantë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, ku u njoh nga afër me kapacitetet operacionale, teknologjinë moderne dhe modelet e avancuara të monitorimit që përdor një nga strukturat policore më të mëdha në botë.

Gjatë vizitës në ambientet e policisë së New York-ut, ministri pati takime me drejtues të NYPD-së, me të cilët diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikat më të mira në zbatimin e ligjit.

Në fokus të vizitës ishte edhe njohja me sistemet inteligjente të monitorimit dhe njësitë operacionale të policisë amerikane, që përfaqësojnë modele moderne të menaxhimit të sigurisë publike dhe reagimit në kohë reale.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, ministri Lamallari shprehu vlerësimin edhe për efektivët me origjinë shqiptare që shërbejnë prej vitesh në radhët e policisë së New York-ut.

“Shumë krenar edhe për efektivët me origjinë shqiptare, të cilët prej vitesh shërbejnë me profesionalizëm e integritet në radhët e policisë së Nju Jorkut, duke nderuar komunitetin shqiptar dhe duke dëshmuar se puna, përkushtimi dhe vlerat tona përfaqësohen denjësisht kudo në botë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Vizita në New York City Police Department u zhvillua në kuadër të qëndrimit të delegacionit shqiptar në New York City, ku ministri Lamallari ndodhet për një vizitë zyrtare në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Rishikimin e Migracionit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.




Comments are closed.