Krizë politike në Kosovë: opozita bojkoton seancën, sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se punimet e seancës do të vijojnë në orën 14:00, duke theksuar se po pritet pjesëmarrja e deputetëve të opozitës për të mundësuar zhvillimin e votimit për zgjedhjen e presidentit.
Ajo i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në seancë, duke e cilësuar këtë si një detyrim kushtetues për çdo deputet. “E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Haxhiu, duke iu referuar edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe dokumenteve ndërkombëtare që theksojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në Kuvend.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e Kuvendit nga PDK, Vlora Çitaku, i kërkoi kandidates për presidente, Feride Rushiti, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar procesin si një “lojë politike antikushtetuese”.
Çitaku paralajmëroi se opozita mund të ndërmarrë edhe protesta nëse procesi vijon pa praninë e saj në sallë, duke akuzuar mazhorancën për veprime që, sipas saj, rrezikojnë rendin kushtetues.
Kritika të forta erdhën edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e quajti situatën një “rrugë të rrezikshme” dhe u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë për mbrojtjen e Kushtetutës.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se mazhoranca po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit, duke shtuar se mbetet për t’u parë nëse opozita do të marrë pjesë në votim.
Situata bëhet edhe më kritike pasi sot skadon afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Ngërçi politik vjen pas disa përpjekjeve të dështuara për të arritur konsensus mes partive, ndërsa mungesa e kuorumit ka bllokuar procesin e votimit për presidentin.







