Krizë politike në Belgjikë, Mbreti refuzon dorëheqjen e kryeministrit De Wever

06 Nov 2026 • 14:02
Shpërndaje:

Mbreti Philippe i Belgjikës ka refuzuar dorëheqjen e kryeministrit Bart De Wever, duke i kërkuar të rifillojë menjëherë negociatat për buxhetin e shtetit, pas dështimit të bisedimeve mes partive të koalicionit qeverisës.

Vendimi u njoftua të premten, më 6 nëntor, përmes një deklarate zyrtare të Pallatit Mbretëror belg, pas konsultimeve të zhvilluara me drejtuesit e pesë partive që përbëjnë shumicën qeverisëse.

“Mbreti ka vendosur të refuzojë dorëheqjen e kryeministrit dhe i ka kërkuar atij të rifillojë menjëherë negociatat për buxhetin”, thuhet në deklaratën e Pallatit Mbretëror.

Reklamë Ola

De Wever kishte paraqitur dorëheqjen në fillim të javës, pasi negociatat disajavore për hartimin e buxhetit përfunduan pa marrëveshje, duke thelluar mosmarrëveshjet brenda koalicionit.

Sipas Pallatit Mbretëror, gjatë konsultimeve me mbretin, drejtuesit e pesë partive kanë shprehur gatishmërinë për të vijuar bisedimet dhe për të bërë lëshime me qëllim arritjen e një kompromisi.

Reklamë InterMedika

Pas këtyre takimeve, mbreti vlerësoi se ekzistojnë ende mundësi për një marrëveshje buxhetore nën drejtimin e kryeministrit aktual.

Në qendër të mosmarrëveshjeve qëndron nevoja e qeverisë belge për të mbuluar një hendek buxhetor prej rreth 10 miliardë eurosh deri në vitin 2029.

Partitë e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme lidhur me masat që duhen ndërmarrë për rritjen e të ardhurave dhe kontrollin e shpenzimeve publike.

Partia Socialiste flamande Vooruit kërkon një kontribut më të madh financiar nga qytetarët me të ardhura të larta, ndërsa Lëvizja Reformiste, forcë e qendrës së djathtë frankofone, e kundërshton këtë propozim, si edhe ndryshimet në sistemin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Dështimi i negociatave ka ngritur gjithashtu shqetësime për miratimin në kohë të buxhetit të vitit të ardhshëm.

Kryeministri De Wever, i cili më parë kishte përjashtuar mundësinë e nisjes së vitit të ri me një buxhet të përkohshëm, pranoi se qeveria mund të detyrohet të përdorë sërish këtë mekanizëm.

Sipas këtij sistemi, ekzekutivi autorizohet të shpenzojë çdo muaj deri në një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti i ri.

“Kjo është një dështim i rëndë i qeverisë”, deklaroi De Wever përpara deputetëve, teksa njoftoi vendimin për të paraqitur dorëheqjen.

Pavarësisht krizës, refuzimi i dorëheqjes nga mbreti i jep koalicionit qeverisës një mundësi tjetër për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të arritur një marrëveshje financiare.

Kryeministri pritet të zhvillojë një takim të ri me Mbretin Philippe më 16 nëntor, për ta informuar mbi ecurinë e negociatave dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje buxhetore.

Deri atëherë, qeveria belge do të vijojë përpjekjet për të gjetur një kompromis që do të shmangte thellimin e krizës politike dhe institucionale.