Kriza energjetike, Rama: Do i drejtohemi Brukselit për mbështetje financiare

02 Sep 2022 16:52
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendet e “Ballkanit të hapur” do t’i drejtohen përmes një shkrese Bashkimit Europian për të kërkuar mbështetje financiare ekstra për përballimin e krizës energjetike.

Në konferencën e përbashkët në mbyllje të punimeve të samitit të “Ballkanit të hapur” në Beograd, Rama tha se, “BE po flet sot për të mbështetur vendet me ekstra fonde për të përballuar këtë çmenduri se nuk mundet dot t’ua faturojë qytetarëve dhe vendeve”.

“Ne kemi vetëm buxhetet tona shumë modeste. Ne duhet t’i drejtohemi edhe me shkrim Brukselit dhe të gjithë vendeve anëtare, të 3 së bashku, do të pranonim edhe firmën e 3 vendeve të tjera që duhet t’i bashkohen kësaj kërkese për t’i kërkuar të njëjtën gjë për ne, një mbështetje financiare ekstra përveç mbështetjes tonë buxhetore”, tha Rama.

Reklamë Ola

“Përfitoj nga rast sot t’i drejtoj përsëri BE-së apelin e përsëritur ndoshta që të mos bëjë me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë. E mbani mend të gjithë shumë mirë se si vendet e Ballkanit u detyruan të vraponin në Kinë, Rusi, Turqi për të filluar operacionin e shpëtimit të infermierëve, mjekëve e të tjerëve me radhë me vaksinimin, sepse BE u mbyll dhe pa vetëm brenda mureve të kështjellës së vetë. Fatmirësisht të gjithë liderët e BE-së e kanë pranuar që ky ka qenë një turp, mbase jo me këtë fjalë, por e kanë pranuar. Edhe në diskutimin që patëm së bashku në Këshillin Europian, presidenti i Francës ka nënvizuar se na duhet një komunitet i ri europian, bashkim strategjik, për të mos përsëritur situatën që ndodhi me pandeminë”, tha Rama.