Kos: BE pret ndryshime në legjislacionin mjedisor dhe një ligj të ri për investimet strategjike

26 Nov 2026 • 22:39
Shpërndaje:

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se disa prej shqetësimeve të ngritura gjatë protestave të fundit në Shqipëri lidhen drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me legjislacionin mjedisor.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Mirela Milori në Euronews Albania, Kos theksoi se Komisioni Evropian nuk mban anë në debatet e brendshme politike të Shqipërisë, por mbetet i angazhuar për garantimin e respektimit të standardeve evropiane.

“Disa nga çështjet e ngritura nga protestuesit janë të natyrës së brendshme dhe nuk lidhen me rrugën evropiane. Ato kërkojnë dialog politik këtu, në Shqipëri. Ndërsa disa çështje të tjera, si për shembull legjislacioni mjedisor, lidhen drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit”, deklaroi Kos.

Reklamë Ola

Komisionerja u ndal veçanërisht te Kapitulli 27 i negociatave, që mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike, duke bërë të ditur se Brukseli pret ndryshime konkrete në legjislacionin shqiptar.

“Në kuadër të këtij procesi, veçanërisht sa i përket mjedisit, Kapitullit 27, ne presim që qeveria të ndryshojë amendamentet e vitit 2024 dhe të hartojë gjithashtu një ligj të ri për investimet strategjike”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Deklaratat e komisioneres nënvizojnë rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa për zgjidhjen e çështjeve të brendshme politike, Kos bëri thirrje për dialog ndërmjet aktorëve në vend.