Konferenca IV Ndërqeveritare, Rama: Vetëm ne e dimë këtë rrugë, më pranë objektivit “Shqipëria 2030” në BE

14 Apr 2025 14:33
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është sot një hap tjetër më pranë objektivit madhor, mbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027, ndërsa theksoi se “Zoti e deshi që fati europian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë”.

“Po si thanë kua-kua-kuatë e kënetës nuk ka më hapje kapitujsh, iku kjo punë, e bllokoi BE-ja narkoshtetin se vet bufi shkoi në Europë bashkë me qirie Dulen dhe as darkë më nuk i dhanë narkokryeministrit?”, ironizoi Rama deklaratat e opozitës përmes një videomesazhi në rrjetet sociale.

Kryeministri bëri të ditur se është rrugës nga Brukseli në Luksemburg ku sot pasdite hapet grupkapitulli i tretë i negociatave me Bashkimin Europian.

Reklamë Ola

Kryeministri e cilësoi këtë “si një tjetër dëshmi kokëfortë se ne po ecim pa u ndalur në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, zonjë në sallonin kryesor të BE-së.

“Ky i sotmi është një tjetër stacion që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë dhe sot jemi një hap tjetër më pranë objektivit tonë madhor, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027”, u shpreh Rama.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, “ky është një objektiv super ambicioz, por plotësisht i arritshëm vetëm nëse qëndrojmë bashkë pa humbur asnjë, minutë lidhur dorë për dore dhe vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, seriozitet dhe unitet kombëtar në këtë rrugëtim historik”.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk është më një aspiratë, është një proces që po ecën përpara drejt portës së hapur për ne si asnjëherë më parë. Ky është momenti ynë, Zoti e deshi që fati europian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë dhe ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë me Europën, drejt Europës me Shqipërinë”, tha Rama.