Presidenti Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar, me fokus situatën aktuale të sigurisë, bashkëpunimin mes institucioneve dhe zhvillimet e fundit që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit. Mbledhja vjen pas hetimit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest në shtëpi”.
Në takim, krahas anëtarëve të Këshillit, morën pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut. Sipas njoftimit të Presidencës, diskutimet u përqendruan te masat për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, raportet me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe rikthimi dhe forcimi i besimit të publikut te institucionet e sigurisë.
Një prej mesazheve kryesore të dala nga mbledhja ishte nevoja që institucionet të bashkëpunojnë dhe jo të konkurrojnë mes tyre kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.
“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë kuadër, u kërkua që çdo mosbesim mes institucioneve të zëvendësohet me koordinim, bashkëpunim dhe komunikim profesional.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe hetimeve të drejtësisë. Presidenca theksoi se ato duhet të zhvillohen në mënyrë tërësisht të pavarur dhe të respektohen nga të gjithë aktorët institucionalë.
“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, ishte një tjetër prej konkluzioneve të bëra publike pas takimit.
Ky qëndrim vjen në sfondin e çështjes së Vlora Hysenit, e cila po hetohet për veprat penale të dyshuara “përkrahje e autorit të krimit” dhe “zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”. Masa e sigurisë ndaj saj është vendosur nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK.
Këshilli kërkoi gjithashtu forcimin e standardeve, kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies, me synimin që institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi është në gjendje “të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik”.
Në njoftim nënvizohet se Shqipëria ka institucione, partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, si dhe profesionistë e kapacitete për të garantuar sigurinë kombëtare. Për këtë arsye, kërkohet që institucionet të punojnë së bashku për forcimin e shtetit dhe besimit të qytetarëve.
Presidenca sqaroi gjithashtu se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit dhe nuk merr vendime. Mbledhjet e tij zhvillohen me dyer të mbyllura.


