Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se përmirësimi i sigurisë rrugore kërkon investime në infrastrukturë, forcimin e zbatimit të ligjit dhe ndryshimin e sjelljes së përdoruesve të rrugës.
Gjatë prezantimit të fushatës rajonale për sigurinë rrugore “Një moment për jetën”, në bashkëpunim me Komunitetin e Transportit, ministri theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin e aksidenteve.
“Siguria rrugore nuk është thjesht një çështje infrastrukture, transporti apo zbatimi të rregullave; ajo është mbi të gjitha një çështje e mbrojtjes së jetës dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët si institucione dhe si qytetarë”, deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve lidhet drejtpërdrejt me sjelljen e drejtuesve të automjeteve, përfshirë shpejtësinë e papërshtatshme, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, konsumimin e alkoolit dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit.
Karakaçi evidentoi miratimin nga qeveria shqiptare të Strategjisë së Sigurisë Rrugore dhe Planit të Veprimit 2027–2029, të cilat synojnë vendosjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve në qendër të politikave të transportit.
“Kjo qasje na kujton se duhet të ndërtojmë një sistem rrugor ku gabimet njerëzore të mos përkthehen domosdoshmërisht në humbje jete”, u shpreh ministri.
Ndër masat e parashikuara janë përmirësimi i sinjalistikës, mirëmbajtja dhe rehabilitimi i rrjetit rrugor, identifikimi dhe eliminimi i pikave të zeza, përmirësimi i standardeve të automjeteve dhe forcimi i kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave.
Ministri nënvizoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirjen e institucioneve arsimore, medias dhe shoqërisë civile, duke theksuar se edukimi dhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës duhet të nisin që në fëmijëri.


