Presidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, ka prezantuar drejtorin e Agjencisë Bullgare të Lajmeve (BTA), Kiril Valçev, si kandidatin e saj për postin e zëvendëspresidentit në zgjedhjet presidenciale.
Sipas ATSH-së, Jotova e bëri publik vendimin përpara gazetarëve, para koncertit që shënoi hapjen e sezonit të ri të Filarmonisë së Sofjes, në sallën “Bullgaria”.
Duke argumentuar përzgjedhjen, ajo e përshkroi Valçevin si jurist, njeri të fjalës dhe të së drejtës, si dhe një figurë publike me përvojë. Sipas saj, posti i zëvendëspresidentit kërkon njohuri të thella për legjislacionin dhe funksionimin e shtetit bullgar.
Jotova theksoi se ka bashkëpunuar prej vitesh me Valçevin për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e gjuhës e të shkrimit bullgar. Ajo veçoi edhe punën me komunitetet bullgare jashtë vendit, për mbrojtjen e trashëgimisë së tyre kulturore.
Nga ana e tij, Valçev tha se nuk kishte synuar më parë të kandidonte për këtë post, por e kishte pranuar ftesën si një vlerësim për BTA-në dhe rolin e saj në lidhjen e bullgarëve në mbarë botën.
Ai e përshkroi agjencinë si një institucion që nxit komunikimin, ruan kujtesën kombëtare dhe promovon konsensusin. Sipas Valçevit, pikërisht aftësia për të ndërtuar konsensus është një nga cilësitë më të rëndësishme që i nevojiten presidencës bullgare.


