Celibashi: Synojmë inteligjencën artificiale në numërimin e votave

28 Oct 2026 • 10:42
Shpërndaje:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të përdorë sërish inteligjencën artificiale për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, përmes një projekti pilot.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi në emisionin “Tech Talk”, me Kristi Gongon dhe Kushtrim Shalën, se teknologjia nuk do të zëvendësojë procedurat ligjore për përcaktimin e rezultatit.

“Po synojmë që ta aplikojmë përsëri përdorimin e inteligjencës artificiale në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit si projekt pilot dhe assesi kjo nuk do të zëvendësojë atë që parashikon ligji për procedurat për nxjerrjen e rezultatit”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Bashkia ku mund të zbatohet projekti ende nuk është përcaktuar. Sipas Celibashit, KQZ-ja po vlerëson kostot përpara se të marrë një vendim.

I pyetur për mundësinë e zbatimit në Tiranë, ai sqaroi se projekti nuk do të mund të mbulonte të gjithë kryeqytetin, por mund të kufizohej në një ose disa zona të administrimit zgjedhor.

Reklamë InterMedika

“Edhe nëse e bëjmë në Tiranë, nuk do ta bëjmë dot në të gjithë qytetin”, tha Celibashi.

Ai nuk përjashtoi as Tepelenën si mundësi, por theksoi se ende nuk ka një vendim për vendndodhjen e projektit pilot.