×
Wednesday, December 11, 2024

“Italia për shqiptarët do të jetë dritarja nga sheh qytetërimin perëndimor”

March 31, 2020


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi i ka nisur sot një letër Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico lidhur me situatën e krijuar për shkak të shpërthimit të vurusit vdekjeprurës COVID-19.

Ruçi shprehet me leter se Italia ka qenë dhe do të jetë për shqiptarët dritarja nga sheh qytetërimin perëndimor, vendi ku jeton një popull punëtor, që është bërë shtëpia e qindra-mijra emigrantëve shqiptarë, një vendburim i thesareve të panumërta kulturore dhe arritjeve shkencore të njerëzimit.

“Gjatë muajve të fundit po ndjekim me shqetësim përpjekjet e popullit italian, veçanërisht qytetarëve të Lombardisë, të Këshillit të Ministrave dhe tuajat, për të përballuar pasojat e koronavirusit COVID-19, i cili në Italinë tonë fqinje dhe mike ka marrë mbi dhjetë mijë jetë njerëzish dhe ka infektuar dhjetra, mijra të tjerë, duke kërcënuar seriozisht të gjithë popullatën.

Siç jemi njohur të gjithë, përhapja e koronavirusit po arrin përmasa të rrezikshme edhe në vende të tjera të Europës, në Shtetet e Bashkuara e më gjerë.

Vendi im, Shqipëria, është gjithashtu e prekur dhe seriozisht e rrezikuar nga COVID-19 dhe Qeveria ka marrë masa jashtëzakonisht të rrepta për parandalimin e përhapjes së tij.

Kuvendi i Shqipërisë dhe unë përsonalisht po ndjekim përditë përpjekjet e jashtëzakonshme të institucioneve dhe mjekëve italianë për të shpëtuar jetën e qytetarëve dhe parandaluar përhapjen e koronovirusit në rajonet e tjera të vendit dhe dëshirojmë me gjithë shpirt që e keqja të ndalet sa më shpejt dhe populli i talentuar dhe shpirtmadh italian t’í kthehet jetës normale dhe gëzimeve të saj. COVID-19 po e bën të vuaj, por nuk do ta gjunjëzojë Italinë e bukur, nuk do ta thyej Italinë e dashur për të gjithë njerëzimin.

Italia ka qenë dhe do të jetë për shqiptarët dritarja nga sheh qytetërimin perëndimor, ideali i një shteti demokratik, vendi ku jeton një popull punëtor, me shpirt artisti e bujar, që është bërë shtëpia e qindra-mijra emigrantëve shqiptarë, një vendburim i thesareve të panumërta kulturore dhe arritjeve shkencore të njerëzimit. Prandaj vuajtjet e Italisë janë vuajtjet e qytetërimit bashkëkohor dhe të gjithë besojmë se ato do të marrin fund sa më shpejt.Të jeni të sigurt se Italia nuk është vetëm. Me të është gjithë njerëzimi.

Shqipëria, edhe pse është prekur edhe vetë nga pasojat e këtij virusi të rrezikshëm, megjithë mundësitë tona të kufizuara, ka dërguar në Lombardi një ekip mjekësh dhe infermierësh shqiptarë, për t’u ardhur në ndihmë kolegëve të tyre italianë në shpëtimin e jetëve njerëzore.

Edhe pse po jetojmë në një kohë jo normale, unë gjej rastin që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal të falenderoj Dhomën e Deputetëve dhe Ju personalisht për mbështetjen e fuqishme ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Europian vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe ky vendim është rezultat edhe i mbështetjes së vazhdueshme të Italisë, kësaj avokateje europianiste të Shqipërisë.

Italia, fqinja dhe mikja jonë e rrallë, do të dalë sa më shpejt nga kjo situatë dhe populli italian do t’i kthehet jetës normale, Kuvendi dhe Dhoma e Deputetëve do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe vizita Juaj e pritshme në Tiranë do të realizohet shumë shpejt.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën drejtuar Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë Roberto Fico.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments