Investimet në arsim, Balla: Kamza do të ketë së shpejti një kompleks sportiv modern
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, sëbashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz Rakip Suli, zhvilluan një takim ne prindër të fëmikëve të kopshteve dhe çerdheve, ku u evidentuan transformimet e mëdha që po ndodhin në Kamëz , falë investimeve në arsim, infrastrukturë sportive dhe zhvillim ekonomik.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se standardet europiane maten mbi cilësinë e shërbimeve publike, duke vlerësuar bashkëpunimin mes qeverisë dhe bashkisë për modernizimin e qytetit.
“Bashkimi Europian ndërtohet mbi standarde dhe mbi cilësinë e shërbimeve publike. Sot Kamza është shembulli më i mirë se si investimet në arsim dhe infrastrukturë ndryshojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.
Balla ka nënvizuar se standardet e institucioneve publike janë arsyeja pse qyteti nuk ka çerdhe dhe kopshte private si dhe ka theksuar se shumë shpejt Kamza do të ketë një kompleks sportiv modern me standarde bashkëkohore europiane.
“Në Kamëz nuk ka kopshte dhe çerdhe private sepse ato publike janë me standarde shumë më të mira. Sot shkollat kanë kushte cilësore, ambiente sportive dhe shumë shpejt qyteti do të ketë edhe një kompleks sportiv modern, një tjetër investim që i shërben të rinjve dhe komunitetit”, tha Balla.
Balla u ndal edhe tek zhvillimi ekonomik i zonës, ku theksoi se Kamza po njeh rritje të ndjeshme të bizneseve dhe sipërmarrjeve, duke e kthyer qytetin në një nga zonat me zhvillimin më të shpejtë në vend.
“Çdo muaj shtohen biznese të reja dhe kjo tregon se Kamza po rritet ekonomikisht dhe po bëhet një qendër e rëndësishme zhvillimi. Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për Kamzën 2030, por për Kamzën 2040 dhe 2050, një qytet modern europian ku qytetarët jetojnë me standarde gjithnjë e më të mira”, përfundoi Balla.







