Ibrahimaj: Konkurrenca në turizëm mund të ndikojë në nxitjen e protestave kundër investimeve në Shqipëri
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se rivaliteti mes vendeve të rajonit për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit mund të ndikojë edhe në nxitjen e protestave kundër projekteve të rëndësishme në Shqipëri.
Gjatë një interviste në RTSH, Ibrahimaj tha se qeveria po punon për një ligj të ri për investimet, i cili do të përfshijë garanci më të forta për sigurinë juridike të investitorëve.
“Ne kemi detyrimin që ky ligj të miratohet brenda këtij viti. Do të kemi një kuadër të rifreskuar për investimet, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet garantimit të sigurisë juridike të investitorëve”, u shpreh ministrja.
Duke komentuar protestat kundër projektit në Zvërnec, Ibrahimaj tha se Shqipëria ndodhet në konkurrencë të drejtpërdrejtë me vendet e tjera të rajonit për turizmin dhe investimet.
“Unë nuk kam asnjë dyshim që rivaliteti në turizëm nxit edhe protesta. Jemi në konkurrencë me fqinjët tanë dhe është e natyrshme që të ekzistojë interes që investimet të orientohen drejt vendeve të tjera dhe jo drejt Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Ministrja shtoi se pas protestave mund të ketë ndikime dhe interesa të ndryshme, por theksoi se mes protestuesve ka edhe qytetarë që marrin pjesë për bindjet e tyre.
“Besoj se aty ka disa rryma që e nxisin protestën. Ka qytetarë që dalin për një kauzë që e besojnë, por ka edhe persona, entitete apo shtete që mund të kenë interes për ta nxitur atë”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe është e gatshme të diskutojë me protestuesit lidhur me shqetësimet dhe kërkesat e tyre.







