×
Wednesday, June 10, 2026

Gogu prezanton prioritetet e vitit 2026: Fokus krimi i organizuar, krimi kibernetik dhe hetimet financiare

June 10, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, paraqiti sot në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit Rekomandimet Prioritare 2026 për luftën kundër kriminalitetit, duke theksuar se risia kryesore e këtij viti është metodologjia e re për vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të tyre.

Gjatë prezantimit, Gogu u shpreh se qasja e re synon ta zhvendosë politikën penale nga niveli i deklarimeve drejt rezultateve konkrete dhe të matshme, duke forcuar efektivitetin e institucioneve në luftën kundër krimit.

Sipas ministrit, prioritetet kryesore për vitin 2026 përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, zhvillimin e hetimeve financiare paralele, parandalimin dhe ndëshkimin e krimit kibernetik, trajtimin e veprave penale zgjedhore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gogu nënvizoi se politika penale nuk duhet të ngatërrohet me ndërhyrjen në hetime apo procese konkrete, duke ritheksuar se pavarësia e institucioneve të drejtësisë mbetet një parim themelor i shtetit të së drejtës.

Ministri theksoi gjithashtu se rekomandimet e vitit 2026 janë të lidhura ngushtë me procesin e integrimit europian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

Sipas tij, Shqipëria duhet të vazhdojë të demonstrojë rezultate të prekshme dhe të verifikueshme në forcimin e sundimit të ligjit, si një nga kushtet kryesore për avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.




Comments are closed.