×
Monday, May 11, 2026

Hoxha takon Schieder në Bruksel: Mesazh i fortë mbështetjeje për integrimin e Shqipërisë në BE

May 11, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot, më 11 maj, një takim në Bruksel me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.

Takimi u përqendrua në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe rëndësinë e mbështetjes nga institucionet e Bashkimit Evropian. Hoxha vlerësoi angazhimin e Schieder për Rezolutën e fundit të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ajo përcjell një mesazh të fortë dhe pozitiv për rrugën europiane të vendit.

Gjatë bisedës, të dy bashkëbiseduesit diskutuan mbi vijimin e reformave dhe ruajtjen e ritmit të negociatave me Bashkimin Evropian. Në fokus ishte gjithashtu objektivi për një proces anëtarësimi të bazuar në meritë dhe besueshmëri.

Hoxha theksoi se Shqipëria e vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të eurodeputetëve dhe nënvizoi përkushtimin e vendit ndaj të ardhmes europiane dhe forcimit të bashkëpunimit me BE-në.

Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha u shpreh:

“Gjatë qëndrimit tim në Bruksel, pata kënaqësinë të takohem me Andreas Schieder, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian. E falënderova ngrohtësisht për punën e tij të shkëlqyer dhe angazhimin e vazhdueshëm në lidhje me Rezolutën e fundit për Shqipërinë, të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), e cila përcjell një mesazh të fortë dhe inkurajues në mbështetje të rrugës sonë drejt anëtarësimit evropian.

Shkëmbyem mendime mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në, rëndësinë e ruajtjes së ritmit aktual të reformave, si dhe objektivin tonë të përbashkët për të avancuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë përmes një procesi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Shqipëria e vlerëson shumë rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të europarlamentarëve dhe të gjithë miqve të zgjerimit, të cilët besojnë në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe të orientuar drejt së ardhmes.”




Comments are closed.