Lamallari në Nju Jork: homazh për 11 Shtatorin dhe takime me shqiptarët në NYPD
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një sërë ndalesash me rëndësi simbolike dhe institucionale në qytetin e Nju Jorkut. Në qendër të agjendës së tij ishte nderimi i viktimave të terrorizmit global, si dhe vlerësimi i kontributit të diasporës shqiptare në institucionet ligjzbatuese amerikane.
Gjatë qëndrimit në metropolin amerikan, Lamallari vizitoi Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit (9/11 Memorial & Museum). Përmes pamjeve të ndara në rrjetet sociale, ai e cilësoi këtë vizitë si një homazh për ngjarjen që tronditi botën dhe ndryshoi historinë moderne.
“Në Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit në Nju Jork, një vend që ruan kujtesën e një prej ngjarjeve më tronditëse në historinë moderne të botës. Me respekt të thellë për jetët e humbura dhe për sakrificën e atyre që shërbyen me kurajo në momentet më të vështira. Kjo vizitë është një kujtesë e fortë për rëndësinë e solidaritetit, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat globale,” u shpreh Lamallari.
Përtej homazheve, ministri zhvilloi edhe një takim me bashkëkombës shqiptarë që shërbejnë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut (NYPD). Ai vlerësoi profesionalizmin dhe integrimin e tyre në institucionet amerikane, duke theksuar krenarinë për kontributin e tyre në shërbim të komunitetit.







