Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, ku theksoi se Shqipëria ka hyrë në fazën më dinamike dhe vendimtare të procesit të integrimit europian.
Në fjalën e tij, Hoxha vlerësoi rëndësinë e SEECP-së, e cila këtë vit shënon 30-vjetorin e krijimit, duke e cilësuar atë si forumin kryesor politik të rajonit për promovimin e dialogut, besimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Juglindore.
Ministri nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi rajonal duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, duke përmendur Procesin e Berlinit, Planin e Rritjes, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe projekte strategjike si Korridori VIII.
Sipas Hoxhës, objektivi i Shqipërisë mbetet përfundimi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2030.
Ai theksoi se zgjerimi i BE-së duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë dhe i besueshëm për të gjitha palët, duke kujtuar se ky angazhim u riafirmua edhe gjatë takimit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tivat.
Hoxha paralajmëroi se sfidat e pazgjidhura në rajon mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik, duke krijuar hapësira për ndikime të jashtme që nuk përputhen me aspiratat europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkëpunimi më i thellë dhe ndërlidhja më e fortë mes vendeve tona nuk janë thjesht një domosdoshmëri rajonale, por një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e rajonit dhe të Evropës në tërësi”, u shpreh ministri.
Në përfundim, Hoxha falënderoi Bullgarinë për kryesimin e suksesshëm të SEECP-së dhe i uroi sukses Rumanisë, e cila merr drejtimin e radhës të procesit.