×
Wednesday, June 10, 2026

Lamallari: Qeveria akordon 5 milionë lekë për familjen e Enea Mekollit dhe 3 milionë për efektivin e plagosur

June 10, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar shpërblim financiar për familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës, Enea Mekolli, si dhe për policin e plagosur Edison Adri.

Sipas Lamallarit, familja e Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, do të përfitojë 5 milionë lekë të reja, ndërsa për familjen e efektivit të plagosur Edison Adri janë akorduar 3 milionë lekë të reja.

“ Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre”, deklaroi ministri.

Lamallari theksoi se, pavarësisht mbështetjes financiare, asnjë ndihmë nuk mund të lehtësojë dhimbjen e humbjes, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të efektivëve me mbështetje konkrete dhe mirënjohje.

“Askush nuk mund ta zbusë dhimbjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet”, u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek procedurat përkatëse ligjore për trajtimin e familjes së Enea Mekollit sipas ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.

Në bazë të këtij statusi, fëmija i efektivit të ndjerë do të përfitojë mbështetje financiare mujore deri në moshën madhore.




Comments are closed.