Rama i përgjigjet Iranit: Shqipëria nuk merr leksione për sovranitet nga një shtet terrorist
Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur ashpër zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, pas reagimit të këtij të fundit lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec.
Baqaei publikoi në rrjetet sociale një video nga protestat në Shqipëri, duke akuzuar Ramën se po shmang përgjegjësinë përballë kritikave të qytetarëve dhe duke e ftuar të dëgjojë thirrjet e protestuesve kundër korrupsionit dhe qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama tha se “qeveria e ajatollahëve të Teheranit” i është bashkuar zyrtarisht protestës, duke e cilësuar ndërhyrjen iraniane si një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në arenë të betejave të huaja politike.
“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurrentët tanë”, shkroi Rama.
Në replikën e tij drejtuar zyrtarit iranian, kryeministri akuzoi regjimin e Teheranit për censurë, represion dhe shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa kujtoi sulmet kibernetike që sipas autoriteteve shqiptare çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.
“Shqipëria nuk merr leksione për sovranitet nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike kundër institucioneve shqiptare”, theksoi Rama.
Ai nënvizoi se protestat në Shqipëri janë pjesë e funksionimit të demokracisë dhe se qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë pa frikën e ndëshkimit.
“Ju citoni protestues shqiptarë që thërrasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin dhe të kërkojnë zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Rama akuzoi Iranin për propagandë dhe përdorim të profileve të rreme e videove të manipuluara në rrjetet sociale, ndërsa e cilësoi regjimin iranian si “një shtet terrorist sipas vetë përkufizimit”.







