Rama zotohet të vijojë projektin e Kushnerit në Zvërnec pavarësisht protestave
June 9, 2026
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare do të vijojë me projektin turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht protestave që prej ditësh po zhvillohen kundër tij në Shqipëri.
Në një intervistë për Associated Press, Rama i cilësoi kundërshtimet ndaj projektit si të bazuara në dezinformim dhe tha se investimi është pjesë e transformimit të Shqipërisë në një destinacion tërheqës për kapitalin ndërkombëtar.
“Shqipëria po kthehet nga një vend i injoruar nga investitorët në një vend ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe ku investitorët e mëdhenj duan të investojnë”, u shpreh Rama.
Ndërsa mijëra qytetarë vijojnë protestat në Tiranë kundër projektit që parashikon ndërtimin e hoteleve, vilave, apartamenteve dhe një marine për jahte në zonën e Zvërnecit, kryeministri theksoi se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se procesi ndodhet në fazën e planifikimit.
I pyetur nëse mund të tërhiqej nga investimi, Rama u përgjigj shkurt: “Të tërhiqem nga çfarë?”.
Sipas tij, vlerësimi formal i ndikimit në mjedis ende nuk ka nisur, pasi arkitektët dhe ekspertët ndërkombëtarë vazhdojnë punën mbi konceptin përfundimtar të zhvillimit.
“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka projekt, ende nuk ka vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, tha ai.
Rama kujtoi gjithashtu se interesi i Jared Kushner për Shqipërinë nisi pas një vizite private në jug të vendit, kur sipas tij, investitori amerikan mbeti i impresionuar nga potenciali i Shqipërisë.
“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të gjenim një mundësi për të investuar”, kujtoi Rama fjalët që, sipas tij, Kushner i kishte thënë gjatë një takimi në Davos.
Projekti i propozuar përfshin dy komponentë kryesorë: një zhvillim turistik në zonën e Lagunës së Nartës dhe një resort në ishullin e Sazanit, ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste.
Ndërkohë, grupet mjedisore kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e habitateve natyrore, pasi në zonë kanë nisur punime për pastrimin e terrenit dhe hapjen e rrugëve të aksesit.
Kryeministri kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se Shqipëria ka ndërmarrë ndër vite masa të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
“Kemi dokumentacion fantastik që tregon se si fauna e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, deklaroi ai.
Rama sugjeroi gjithashtu se një pjesë e debatit publik rreth projektit po ndikohet nga fushata dezinformimi dhe manipulimi në rrjetet sociale.
“Ka shumë manipulim. Ka shumë gjysmë të vërteta që, orë pas ore, shndërrohen në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha”, tha kryeministri, duke sqaruar se nuk po akuzonte protestuesit individualë për veprimtari të lidhura me aktorë të huaj.
Ndërkohë, një hetim është hapur nga autoritetet shqiptare lidhur me disa aspekte të projektit dhe statusin e pronësisë së tokave të përfshira në zonën ku planifikohet investimi.