×
Saturday, May 30, 2026

Hoxha në Romë: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE brenda kësaj dekade

May 30, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Romë me Piero Fassino, ku në fokus të bisedimeve ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, Hoxha vlerësoi Fassinon si një mik të Shqipërisë dhe një mbështetës të vazhdueshëm të perspektivës europiane të rajonit, ndërsa diskutimet u përqendruan te progresi i vendit në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ministri theksoi angazhimin e Shqipërisë për vijimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit, duke vënë në dukje rëndësinë e standardeve të arritura që çuan në miratimin e IBAR dhe hapat e ardhshëm drejt mbylljes së kapitujve negociues.

Sipas Hoxhës, palët shkëmbyen mendime mbi ritmin e procesit të zgjerimit dhe rëndësinë e ruajtjes së momentit pozitiv që po kalon aktualisht integrimi europian i vendit.

“Diskutuam mbi ritmin dhe afatet kohore të procesit të zgjerimit, duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së momentumit aktual dhe përparimin me vendosmëri drejt objektivit tonë strategjik për përfundimin e negociatave brenda kësaj dekade”, u shpreh ministri.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe situata në Ballkanin Perëndimor, me theks te ruajtja e stabilitetit rajonal, forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe avancimi i integrimit europian të vendeve të rajonit.

Hoxha theksoi se zgjerimi mbetet një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian, duke kontribuar në transformimin demokratik, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve kandidate.

Sipas tij, në kushtet e sfidave të reja gjeopolitike, një Ballkan Perëndimor i sigurt, i qëndrueshëm dhe i integruar në BE është një interes strategjik jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Europën.

Ministri nënvizoi se momentumi aktual i procesit të zgjerimit përfaqëson një mundësi historike për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të shfrytëzohet përmes reformave të thella, dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal.




Comments are closed.