×
Saturday, May 30, 2026

Rama nga Lezha sulmon opozitën: PS mbështeti Kosovën, ndërsa ata furnizonin Millosheviçin me naftë

May 30, 2026


Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë turit të takimeve në kuadër të 35-vjetorit të PS-së, u ndal në Lezhë, ku lëshoi akuza të forta ndaj opozitës, duke e cilësuar atë si “shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare”.

Në fjalën e tij, Rama tha se Partia Socialiste ka qenë historikisht objekt sulmesh dhe akuzash nga kundërshtarët politikë, por sipas tij, faktet kanë treguar një realitet krejt tjetër nga ai që është pretenduar ndër vite.

Kreu i qeverisë kujtoi periudhën e viteve ’90 dhe luftën në Kosovë, duke deklaruar se PS-ja është akuzuar padrejtësisht si forcë politike e lidhur me Beogradin, ndërsa, sipas tij, ishin përfaqësues të qeverisë së asaj kohe që shkelën embargon ndërkombëtare ndaj regjimit të Slobodan Milošević.

“Ata e sulmuan brutalisht PS-në si parti të lidhur me Serbinë dhe shërbëtore të Beogradit, por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër. Pikërisht ata që sulmonin PS-në ditën, natën furnizonin me naftë makinerinë e Millosheviçit”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se pas ardhjes në pushtet në vitin 1997, Partia Socialiste mbështeti vazhdimisht çështjen e Kosovës dhe procesin e çlirimit të saj.

“PS që në ditën e parë të marrjes së frenave të vendit pas katrahurës së vitit 1997 u bë mbështetja më e fortë, më e palëkundur dhe e përhershme deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se edhe sot Partia Socialiste vazhdon të përballet me sulme politike dhe akuza nga kundërshtarët e saj, por sipas tij, opozita mbetet një forcë që nuk ka arritur të ofrojë alternativa dhe vazhdon të mbetet në logjikën e konfliktit dhe përçarjes.

Deklaratat e Ramës u bënë gjatë aktiviteteve për shënimin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, në kuadër të turit të takimeve që po zhvillon në disa qytete të vendit.




Comments are closed.