×
Monday, May 4, 2026

Hoxha në Kuvend: Nuk ka bllokim të integrimit, Shqipëria synon BE-në brenda 2030

May 4, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka raportuar sot në Komisionin e Jashtëm në Kuvend, ku është ndalur gjerësisht te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale dhe debati politik e mediatik mbi ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian.

Gjatë seancës, Hoxha hodhi poshtë zërat për një bllokim të procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria po vijon normalisht me reformat dhe detyrimet e saj në kuadër të negociatave me BE-në. Sipas tij, nuk ka as veto dhe as ndalesa politike që pengojnë ecurinë e vendit në këtë rrugë.

Ai theksoi se objektivi strategjik i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, duke e lidhur këtë proces drejtpërdrejt me rezultatet konkrete të reformave dhe punës së institucioneve shqiptare.

Ministri u ndal edhe te zhvillimet në BE, duke theksuar se vetë Bashkimi Europian po përballet me sfida të brendshme dhe qëndrime të ndryshme mes shteteve anëtare, në një kontekst të ri gjeopolitik.

Një pjesë e diskutimit u përqendrua edhe te një artikull i mediave gjermane që trajtonte perspektivën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ku Hoxha e cilësoi si interpretim mediatik dhe jo qëndrim zyrtar.

Më poshtë është fjala e plotë e ministrit Ferit Hoxha në Komisionin e Jashtëm:

“Nuk ka pasur e nuk ka bllokim. Nuk ka pasur dhe nuk ka veto. Procesi i integrimit vazhdon normalisht. Komisionerja Kos disa herë ka theksuar se integrimi i vendit vijon. Ajo që është thelbësore është puna dhe rezultatet tona.

Ne duhet të përmbushim reformat e duhet të bëjmë pjesën tonë me seriozitet. Ne duam ta çojmë Shqipërinë në Europë brenda vitit 2030. Një sërë ministrash të vendeve të BE-së kanë ardhur në Tiranë dhe kanë shprehur mbështetje për Shqipërinë në BE. Sot kemi një situatë gjeo-politike të ndryshme dhe kemi dhe vende, që janë skeptike ndaj Bashkimit Europian. Është vetë BE-ja që përballet me kundërshtime dhe duhet ta njohim këtë realitet të ri“, tha Hoxha.

Komentoi dhe një artikull të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), e cila thoshte se Shqipëria e Serbia janë gati që të anëtarësohen në BE, pa të drejtë vetoje.

Ministri Hoxha deklaroi se është thjesht një artikull. Ai shtoi se Shqipëria e Serbia ndajnë mendim krejt ndryshe për Kosovën, por se bashkëpunimi për anëtarësim është i nevojshëm.

“Tani të dalim te pyetja e madhe: pse Presidenti i Serbisë? Fakti që ky opinion është firmosur së bashku me të nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si tregues i ndonjë aleance të veçantë apo, aq më pak, i ndonjë projekti kundër ndikujt, as në rajon e as jashtë tij. Është veçse një artikull: as aleancë e as projekt. Përkundrazi, ai dëshmon se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella (siç janë ato që kemi me Serbinë, në mënyrë të veçantë në papajtueshmërinë e skajshme lidhur me Kosovën), janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët kur interesat strategjike përkojnë. Integrimi evropian është një nga këto interesa madhore që kërkon bashkëpunim, dialog dhe pragmatizëm.

Shumë është shkruar e thënë se ato dy faqe artikull i paskëshin bërë dëm Kosovës. Kjo është absolutisht e pabazë. Asgjë në atë artikull apo në asnjë aspekt të marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë nuk zbeh, në asnjë mënyrë, qëndrimet e qarta dhe të palëkundura të Shqipërisë për Kosovën dhe nuk besoj se ka nevojë të riartikulohen këtu, apo për çështje të tjera të rëndësishme rajonale. Përkundrazi, tregon pjekuri politike dhe përgjegjësi në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Por, nga ana tjetër, thuajse askush nuk u thellua sa duhet për të parë më tej: sipas artikullit, integrimi më i hershëm në tregun e përbashkët evropian dhe në hapësirën Schengen do të përfitohej nga të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, në një qasje gjithëpërfshirëse. Dhe nëse ka ndonjë vend në rajonin tonë që ka nevojë për një qasje të tillë, kjo është pikërisht Kosova.

Ku është dëmi këtu? Askund, përkundrazi. Në këtë kontekst, “Op-Ed” ishte një thirrje për Bashkimin Evropian që të mendojë në mënyrë më strategjike për Ballkanin Perëndimor, të mos e lërë rajonin në një zonë gri gjeopolitike dhe të kuptojë se vakumi krijon hapësirë për destabilizim dhe stagnim.

Së fundmi, diplomacia nuk është asnjëherë një lojë me shumatorë zero. Paqja, pajtimi dhe bashkëpunimi me fqinjët, pa harruar kurrë të kaluarën, por duke u udhëhequr nga e ardhmja, janë shenjë pjekurie dhe kusht që Evropa të na marrë seriozisht.”




Comments are closed.