Hita pret drejtuesit e Guardia di Finanza-s, rikonfirmohet bashkëpunimi kundër kultivimit të kanabisit

03 Aug 2026 19:11
Shpërndaje:

Delegacioni i lartë i Guardia di Finanza-s italiane, i kryesuar nga Komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto, u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi partneritetin e gjatë mes dy institucioneve, duke theksuar se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s ka kaluar prej kohësh përtej marrëdhënieve formale institucionale.

Sipas Hitës, ky partneritet është shndërruar në një model të konsoliduar besimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, që ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri.

Reklamë Ola

Ai falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin në monitorimin ajror të territorit shqiptar, duke e cilësuar bashkëpunimin si një element të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër kriminalitetit.

Nga ana e tij, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto rikonfirmoi angazhimin e Guardia di Finanza-s për të vijuar dhe intensifikuar operacionet e monitorimit ajror në Shqipëri.

Reklamë InterMedika

Ai bëri të ditur se do të shtohen fluturimet e mbikëqyrjes, ndërsa çdo koordinatë e identifikuar si zonë me risk për kultivimin e bimëve narkotike do t’i nënshtrohet verifikimeve të detajuara.

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s për monitorimin ajror të territorit shqiptar zhvillohet prej vitesh dhe konsiderohet një nga mekanizmat kryesorë në identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit, përmes përdorimit të teknologjisë ajrore dhe shkëmbimit të informacionit operacional mes dy vendeve.