×
Wednesday, April 23, 2025

Grenell: Më 27 qershor, Kosova dhe Serbia takohen në Shtëpinë e Bardhë

June 15, 2020


I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.

“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun.Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.

Presidenti Thaçi ka mirëpritur iniciativën e SHBA-së për rikthimin e dialogut.

“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që sipas tij duhet të çojë në njohje reciproke.

“Aktivitetet e koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht me Qeverinë amerikane dhe Richard Grenell kanë prodhuar rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve. Vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit, gjë që e kishte kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç .

Lajmi për takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington, vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak ishte paraparë që të vizitonte Prishtinën.

Megjithatë, siç merr vesh REL, Lajçakut i është anuluar fluturimi nga Cyrihu për në Tiranë, prej nga ku do të nisej drejt Prishtinës.

Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.

Ndërkaq, afro tre muaj më herët, BE-ja ka emëruar Mirosllav Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Më pas kjo taksë u hoq dhe u vendos masa e reciprocitetit, por Serbia tha se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e të gjitha pengesave.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments