Qyteti i Gramshit ka tashmë një stadium të ri, një investim i realizuar në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Bashkisë Gramsh, me synim përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe zhvillimin e futbollit te të rinjtë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Besian Ajazi, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij investimi për komunitetin dhe sportistët e qytetit.
Stadiumi i ri do t’u shërbejë ekipeve të Gramshit dhe grupmoshave të ndryshme, duke ofruar kushte më të mira për stërvitje, zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve futbollistike.
Gjatë fjalës së tij, presidenti i FSHF-së falënderoi bashkinë dhe kompaninë zbatuese të projektit, duke theksuar se investimi është pjesë e strategjisë për zhvillimin e futbollit në të gjithë vendin.
“Ky investim në Gramsh sepse e meritojnë fëmijët e Gramshit, ky investim në Gramsh sepse e meritojnë tifozët e këtij qyteti, të cilët e duan futbollin dhe janë të apasionuar pas tij”, deklaroi Duka.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku Besian Ajazi e cilësoi përfundimin e stadiumit si realizimin e një ëndrre të kahershme për banorët.
Ai bëri të ditur se aktualisht në Gramsh janë mbi 250 fëmijë të angazhuar në futboll, në ekipet e grupmoshave U-13, U-15 dhe U-17, krahas ekipit të të rriturve.
Ajazi shprehu gjithashtu pritshmërinë që bashkëpunimi me FSHF-në të vijojë me ndërtimin e fushave ndihmëse, për të krijuar më shumë hapësira sportive për fëmijët dhe të rinjtë.
Nis edhe edicioni i ri i projektit “Uniforma ime”
Inaugurimi i stadiumit u shoqërua me nisjen e edicionit të ri të projektit “Uniforma ime”, një nismë e FSHF-së që synon mbështetjen e futbollit të fëmijëve.
Përmes këtij projekti, fëmijët që aktivizohen në shoqatat dhe akademitë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan do të pajisen falas me uniforma dhe materiale sportive.
Nisma synon të përmirësojë kushtet e stërvitjes dhe të reduktojë kostot financiare për familjet, duke u krijuar më shumë fëmijëve mundësinë të angazhohen në futboll.
Presidenti i FSHF-së theksoi se investimet në infrastrukturën sportive dhe mbështetja me pajisje falas janë pjesë e përpjekjeve për të garantuar mundësi të barabarta për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin futbollin.
“Uroj që kjo fushë të mbushet plot me zërat dhe ëndrrat e fëmijëve që duan të luajnë futboll”, përfundoi Duka.


