×
Friday, May 8, 2026

Gogu studentëve: E ardhmja e drejtësisë varet nga integriteti juaj

May 7, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zgjodhi të komunikojë drejtpërdrejt me studentët e drejtësisë, duke theksuar rolin kyç që ata do të kenë në të ardhmen e sistemit dhe rëndësinë e përgjegjësisë individuale.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, ndërsa Gogu theksoi se sundimi i ligjit nuk është një slogan politik, por një mënyrë konkrete funksionimi e shtetit.

“Sundimi i ligjit do të thotë që pushteti i nënshtrohet ligjit, që çdo qytetar është i barabartë para tij dhe që të drejtat e njeriut janë garanci reale në çdo proces”, u shpreh ai.

Duke iu drejtuar studentëve, ministri e lidhi reformën në drejtësi me rolin e brezit të ri, duke nënvizuar se sistemi nuk ndërtohet vetëm mbi institucione, por mbi njerëzit që e zbatojnë atë në praktikë.

“Reforma ka ndërtuar institucione më të forta dhe një standard që nuk kthehet pas. Por ky standard nuk mbahet vetë — mbahet nga ju, nga vendimet që do të merrni çdo ditë”, tha Gogu.

Ai shtoi se integrimi në Bashkimi Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një standard konkret që matet përmes funksionimit të drejtësisë dhe trajtimit të qytetarëve.

Në përfundim, ministri theksoi rëndësinë e procesit të rregullt ligjor, barazisë së palëve dhe transparencës, duke i cilësuar këto si bazat e besimit të qytetarëve tek drejtësia.

Mesazhi i tij për studentët ishte i drejtpërdrejtë: e ardhmja e sistemit të drejtësisë dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së varen nga integriteti dhe profesionalizmi i brezit të ri të juristëve.




Comments are closed.