Goditje për Farage, Reform UK bie në nivelin më të ulët në sondazhet e YouGov

24 Sep 2026 • 19:34
Shpërndaje:

Reform UK e Nigel Farage ka regjistruar rezultatin më të dobët në sondazhet e YouGov që prej rifillimit të matjeve të rregullta në janar 2025, ndërsa gara politike në Britaninë e Madhe është ngushtuar ndjeshëm mes tri forcave kryesore.

Sondazhi më i fundit i YouGov për The Times dhe Sky News e rendit Partinë Laburiste në vendin e parë me 23%, ndërsa Reform UK dhe Partia Konservatore ndajnë vendin e dytë me nga 21%.

Krahasuar me sondazhin e mëparshëm, Reform UK ka humbur dy pikë përqindjeje, konservatorët kanë fituar një pikë, ndërsa Labour ka mbetur në të njëjtin nivel.

Reklamë Ola

Rezultati shënon një ndryshim të dukshëm për partinë e Farage, e cila më herët gjatë vitit kryesonte sondazhet dhe kishte krijuar një avantazh ndaj dy partive tradicionale britanike.

Në sondazhin e YouGov të 13–14 shtatorit, Reform UK dhe Labour ishin të barabarta me nga 23%, ndërsa konservatorët kishin 20%. Tashmë Reform ka rënë në 21%, duke u barazuar me konservatorët.

Reklamë InterMedika

Rënia vjen në një periudhë të vështirë për partinë e Farage, e cila është përballur edhe me polemika lidhur me financimin e sondazheve politike.

Një investigim i Channel 4 News dhe gazetarëve të Verbatim pretendoi se zyrtarë të Reform UK kishin diskutuar një skemë përmes së cilës një kompani e huaj do të financonte sondazhe të porositura për partinë. Reform UK ka mohuar se ka shkelur ligjin dhe ka njoftuar një hetim të brendshëm.

Dy ndihmës të lartë të Farage, James Orr dhe Dan Jukes, u larguan nga postet e tyre pas publikimit të investigimit, ndërsa Policia Metropolitane nisi më pas një hetim për pretendimet lidhur me financimin nga jashtë.

Shifrat e reja tregojnë se gara mes Labour, Reform UK dhe konservatorëve është bërë shumë më e ngushtë. YouGov thekson gjithashtu se diferencat mes tri partive kryesore janë brenda marzhit të gabimit të sondazhit.

Për Reform UK, megjithatë, rezultati prej 21% përfaqëson pikën më të ulët të regjistruar nga YouGov që prej janarit të vitit 2025, duke shënuar një kthesë nga periudha kur partia e Farage kryesonte matjet e opinionit publik.