Gjermania dhe Austria kanë propozuar që platforma TikTok të kalojë nën pronësi europiane, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale, forcimin e sovranitetit digjital dhe kufizimin e rreziqeve që, sipas tyre, platforma paraqet për demokracinë.
Propozimi u paraqit të mërkurën nga ministri gjerman për Median, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll, përmes një deklarate të përbashkët.
Sipas dy zyrtarëve, TikTok, me rreth 200 milionë përdorues në Bashkimin Europian, është kthyer në një platformë me ndikim të konsiderueshëm në formimin e opinionit publik dhe pjesëmarrjen shoqërore.
Ata e cilësuan platformën si një “kërcënim të dukshëm për shoqërinë tonë demokratike”, duke ngritur shqetësime për lidhjet e kompanisë mëmë ByteDance me Kinën dhe mundësinë e aksesit të autoriteteve kineze në të dhënat e përdoruesve europianë.
Shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe ndikimin në zgjedhje
Propozimi vjen në një kohë kur TikTok është nën hetim në Bashkimin Europian për rolin e tij në proceset zgjedhore, në kuadër të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).
Platforma është përballur gjithashtu me gjoba nga autoritetet europiane për shkelje të rregullave të privatësisë, lidhur me transferimin e të dhënave të përdoruesve drejt Kinës.
Nisma e Berlinit dhe Vjenës ndjek një qasje të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara, ku administrata e presidentit Donald Trump kërkoi ndarjen e operacioneve amerikane të TikTok nga kompania mëmë kineze.
Ministrat u bënë thirrje edhe vendeve të tjera anëtare të BE-së që t’i bashkohen propozimit, megjithëse ende nuk janë sqaruar mekanizmat për realizimin e një strukture të re pronësie.
Çështja pritet të diskutohet në kuadër të takimit të ministrave të Kulturës në Bruksel.
Ndërkohë, grupi mediatik Axel Springer ka shprehur mbështetje për nismat që synojnë vendosjen e TikTok nën kontroll europian.
TikTok nuk iu përgjigj kërkesës së POLITICO për koment lidhur me propozimin.


