Kreu i Reform UK, Nigel Farage, ka deklaruar se kandidatët e partisë së tij nuk do të përjashtohen nga gara vetëm sepse kanë pëlqyer postime të aktivistit të ekstremit të djathtë Tommy Robinson në rrjetet sociale.
Në një intervistë të martën për emisionin “Today” të BBC Radio 4, Farage tha se një veprim i tillë nuk duhet të përbëjë automatikisht pengesë për përfaqësimin e partisë.
“Nuk do ta ndaloja askënd për pëlqimin e postimeve të dikujt si Tommy Robinson. Nuk do të ishte zgjedhja ime, por nuk do ta ndaloja askënd ta bënte”, u shpreh ai.
Farage, i cili prej vitesh është përpjekur t’i distancojë partitë që ka drejtuar nga Robinson dhe aktivistët e tij, tha se nuk dëshiron të nxisë një “kulturë përjashtimi”. Megjithatë, shtoi se do të ndërhynte nëse dikush mbështeste diçka “qartësisht të gabuar”.
I pyetur nëse mbështetja për postime të caktuara të Robinsonit mund të sillte masa disiplinore, ai tha se vendimi do të varej kryesisht nga përmbajtja.
“Nuk do të drejtoj një parti ku themi: ‘Nuk mund të flasësh për këtë person apo atë person’. Duhet të jemi të arsyeshëm në verifikimin e kandidatëve dhe kështu po veprojmë”, deklaroi Farage.
Reform UK është përballur me kritika për përzgjedhjen e kandidatëve që nga rikthimi i tij në krye të partisë në vitin 2024.
Një dokumentar investigativ i ITV-së zbuloi se, gjatë procesit të verifikimit, kandidatët nxiteshin të fshinin llogari në rrjetet sociale që përmbanin mbështetje për Robinsonin përpara se të aplikonin.
Farage e mbrojti procesin, duke pretenduar se Reform UK i kontrollon kandidatët për këshillat vendorë më rreptësisht se çdo parti tjetër. Ai akuzoi gjithashtu rivalët politikë se nuk përballen me të njëjtën llogaridhënie për komentet problematike të kandidatëve të tyre.
Robinson, i cili ka disa dënime penale, po gjykohet aktualisht për dy akuza ngacmimi që u kanë shkaktuar dy gazetarëve frikë nga dhuna. Ai i mohon akuzat.


