Evropa po i dorëzohet vapës: Rritet me 75% kërkesa për kondicionerë
Kërkesa për kondicionerë dhe pajisje ftohëse në Gjermani është rritur me 75% gjatë periudhës 2019–2024, ndërsa temperaturat rekord po ndryshojnë mënyrën se si evropianët përballen me valët e të nxehtit.
Sipas shoqatës së industrisë Eurovent, kërkesa për sisteme ftohjeje ka shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Megjithatë, pavarësisht këtij trendi, në Evropë vazhdon të ekzistojë një rezistencë kulturore ndaj përdorimit të kondicionerëve.
“Në këshillat që qarkullojnë në rrjetet sociale ende rekomandohet të mos përdoren kondicionerët. Freskimi vazhdon të konsiderohet luks”, u shpreh zëvendëssekretari i përgjithshëm i Eurovent, Stijn Renneboog.
Ai paralajmëroi se temperaturat e larta përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik, duke theksuar se në Evropë regjistrohen çdo vit dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me të nxehtin.
Një nga arsyet kryesore është se shumica e banesave evropiane janë projektuar për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit dhe jo për të siguruar freski gjatë verës. Një studim i fundit tregon se pothuajse gjysma e qytetarëve të BE-së mbështeten te hijëzimi dhe izolimi i banesave për të përballuar vapën, megjithëse gjithnjë e më shumë po shqyrtojnë instalimin e kondicionerëve.
Ekspertët paralajmërojnë se instalimi i sistemeve të klimatizimit në ndërtesat e vjetra shpesh është i kushtueshëm dhe has pengesa teknike, administrative dhe estetike, veçanërisht në qytetet me trashëgimi historike.
Kostoja e energjisë mbetet një tjetër pengesë. Sipas një sondazhi në nivel të Bashkimit Evropian, 38% e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë mundësi ekonomike për të ftohur banesat e tyre gjatë verës.
Ndërkohë, konsumi i energjisë për ftohjen e ndërtesave në BE është rritur ndjeshëm. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024 konsumi i energjisë për ftohje u rrit me 15,3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ai për ngrohje shënoi rënie të lehtë.
Ekspertët sugjerojnë alternativa më miqësore me mjedisin, si projektimi i ndërtesave me ventilim natyror, përdorimi i materialeve që thithin më pak nxehtësi, instalimi i roletave dhe tendave, si edhe përdorimi i pompave moderne të nxehtësisë që ofrojnë edhe funksion ftohjeje.
Gjithashtu, shumë qytete evropiane po investojnë në hapësira të gjelbra, sisteme mjegulle spërkatëse, qendra publike ftohjeje dhe rrjete të centralizuara ftohjeje, ku uji i ftohtë shpërndahet përmes tubacioneve nëntokësore për të ulur temperaturën në ndërtesa.







