Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, hapi punimet e ditës së dytë të samitit të NATO-s në Ankara, ku riafirmoi mbështetjen e Ankarasë për Ukrainën dhe bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Në fjalën e tij, Erdogan deklaroi se mbështet përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të përdorë kanalet e saj të komunikimit për të nxitur dialogun.
“Unë ndaj vizionin e Trump për paqen dhe dua të theksoj mbështetjen time për nismat përkatëse. Ne do të vazhdojmë të përdorim kanalet e komunikimit për ta drejtuar Rusinë drejt paqes,” u shpreh Erdogan.
Presidenti turk vlerësoi gjithashtu qëndrimin e administratës amerikane për zgjidhjen e krizës me Iranin përmes një marrëveshjeje.
“E vlerësoj shumë qëndrimin e vendosur të mikut tim Trump për të garantuar që kriza me Iranin të përfundojë me një marrëveshje, pavarësisht përpjekjeve për sabotazh. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit,” deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës, Erdogan falënderoi aleatët e NATO-s për mbështetjen ndaj Turqisë në fushën e mbrojtjes ajrore.
“Dua t’i shpreh falënderimet e mia NATO-s për mbështetjen me sistemet raketore që mbrojnë Turqinë dhe për vendet aleate që kanë aktivizuar bateri shtesë raketash,” tha presidenti turk.