×
Tuesday, April 16, 2024

Ekonomi në parasamitin e Romës: Shqipëria, potencial të lartë bujqësor

July 27, 2021


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, në ditën e dytë të punimeve të parasamitit të OKB që po zhvillohet në Romë, theksoi përpjekjet që po bën Shqipëria për përmirësimin dhe transformimin e sistemeve të ushqimit, në mënyrë që t’i bëjmë ato më rezistente ndaj sfidave të së ardhmes, qofshin këto të lidhura me zhvillimet demografike apo ndryshimet klimatike.

“Duke besuar fuqimisht se bujqësia mund të jetë nxitës i zhvillimit ekonomik të vendit, shpreha angazhimet e qeverisë për arritjen e SDG-ve lidhur me transformimin e sistemeve ushqimore të fokusuara në 5 fusha kryesore veprimi”- u shpreh Ekonomi.

Teksa informoi se 5 fushat kryesore të veprimit janë: Sigurimi i një zinxhiri vlere konkurrues në sistemet ushqimore; Zhvillimi i agroturizmit dhe zinxhirëve të shkurtër vlere si mekanizma për zhvillimin rural; Vendosja e një sistemi efektiv të sigurisë ushqimore, veterinare dhe mbrojtjes së bimëve; Garantimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtja e mjedisit, ruajtja e ekosistemeve dhe mundësimi i zbutjes dhe adaptimit të ndryshimeve klimatike dhe krijimi i një sistemi efektiv për menaxhimin e krizave.

Ekonomi theksoi gjatë fjalës së saj se “është kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje globale e cila na ka mbledhur së bashku për të diskutuar një çështje kaq të rëndësishme si Sistemet Ushqimore, thelbësore për të gjitha vendet tona”.

“Shqipëria është një vend i vogël në zemër të Ballkanit me një potencial të lartë bujqësor. Sektori i bujqësisë është një nga shtyllat kryesore ekonomike të ekonomisë shqiptare duke kontribuar me 19% të PBB së vendit, duke punësuar rreth një të tretën e forcës punëtore në të gjithë vendin. Duke pasur parasysh peshën e madhe që zë, ne po përpiqemi ta bëjmë këtë sektor një motor për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, duke diversifikuar dhe shtuar vlerën e produktit bujqësor, dhe synuar sigurimin e më shumë të ardhurave për familjet rurale si dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm bujqësor”- tha Ekonomi.

“Vendi po ndërhyn strategjikisht në sektor, tha Ekonomi, duke ndërhyrë me ndryshime dhe përmirësime të synuara që janë hartuar bazuar në reagimet e marra përmes platformës së Dialogut Kombëtar, i cili bashkoi më shumë se 350 pjesëmarrës nga qeveria lokale dhe qendrore, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, fermerë, shoqëria civile, akademikë, sektori privat, agjencitë publike dhe media e specializuar.“Kjo sepse Shqipëria beson fuqimisht se bujqësia mund të jetë nxitës i zhvillimit ekonomik. Dhe në fakt, ne kemi parë progres në sektor: eksportet bujqësore janë rritur me 27% në tre vitet e fundit, me produktet e vendit që arrijnë tregje të reja, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën.

Kjo u arrit duke përmirësuar rrënjësisht sistemet e ujitjes të tokave bujqësore, si dhe përpjekje të përkushtuara për të standardizuar produktet nën skemat e cilësisë. Për më tepër, zhvillimet në bujqësi mund të kenë ndikim pozitiv edhe në sektorë të tjerë, duke krijuar mundësi në rritjen e turizmit rural dhe transformimin e Shqipërisë në një destinacion emocionues”- deklaroi në fjalën e saj ministrja Ekonomi. 

Eunews.al



Comments are closed.