Dyshime për murtajë pulmonare në Siberi, Kremlini mohon rastin e dytë dhe OBSH kërkon sqarime

08 Oct 2026 • 19:05
Shpërndaje:

Rusia ka hedhur poshtë raportimet për një rast të dytë të dyshuar të murtajës pulmonare në Siberi, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar informacione zyrtare nga Moska për të sqaruar situatën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se shumica e informacioneve që po qarkullojnë në media lidhur me rastet e dyshuara janë të pavërteta.

Ai u bëri thirrje mediave dhe publikut t’u referohen vetëm njoftimeve të autoritetit rus të shëndetit publik, Rospotrebnadzor, për të dhënat mbi situatën epidemiologjike.

Reklamë Ola

Shqetësimet u shtuan pas konfirmimit të vdekjes së një 28-vjeçareje, e cila punonte në një institut kërkimor për murtajën në Irkutsk, në Siberi.

Autoritetet ruse njoftuan se e reja ishte diagnostikuar me pneumoni, por nuk kanë përcaktuar publikisht shkakun e saktë të sëmundjes. Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar se vdekja e saj lidhet me murtajën pulmonare.

Reklamë InterMedika

Mungesa e informacionit të plotë mbi këtë rast ka nxitur interesimin e institucioneve ndërkombëtare të shëndetësisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se organizata ishte informuar për rastin përmes dy raportimeve mediatike, njëri prej të cilëve nga Rusia, dhe i kishte kërkuar autoriteteve ruse sqarime zyrtare.

Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë vlerësuar se rreziku për Shtetet e Bashkuara është i ulët.

Sipas vlerësimit të CDC-së, informacionet e disponueshme nuk japin arsye për panik.

Murtaja pulmonare është një formë e rëndë e infeksionit bakterial të shkaktuar nga Yersinia pestis, që prek mushkëritë dhe mund të transmetohet nga njeriu te njeriu përmes pikëzave respiratore gjatë kontaktit të afërt.

Sëmundja kërkon trajtim të menjëhershëm me antibiotikë, ndërsa diagnostikimi i hershëm është vendimtar për ecurinë e pacientit.

Pavarësisht raportimeve dhe shqetësimeve të ngritura, prania e murtajës pulmonare në rastet e përmendura në Siberi mbetet e pakonfirmuar zyrtarisht.