Donald Trump: Marrëdhënia SHBA–MB “forcë e pathyeshme”, përmend edhe qëndrimin për Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë një darke shtetërore, duke theksuar se dy vendet ndajnë një “guxim të pathyeshëm” dhe një histori të përbashkët bashkëpunimi në momente kyçe.
Në fjalën e tij, Trump u ndal te aleanca historike mes dy vendeve, duke përmendur konfliktet e mëdha ku SHBA dhe Britania kanë qëndruar krah për krah, nga Lufta e Parë Botërore deri te zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Që nga llogoret e Luftës së Parë Botërore, në plazhet e Normandisë, nga kodrat e ngrira të Koresë te rërat e nxehta të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme, ku po punojmë edhe tani, ne kemi qenë gjithmonë bashkë”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se nuk do të lejohet që Irani të pajiset me armë bërthamore, duke shtuar se edhe Charles III ndan këtë qëndrim.
“Ne kurrë nuk do ta lejojmë atë kundërshtar të ketë armë bërthamore. Charles pajtohet me mua, madje edhe më shumë se unë vetë”, tha Trump.
Ai theksoi se bashkimi i patriotizmit amerikan me krenarinë britanike ka krijuar një nga aleancat më të forta në histori, duke e cilësuar atë si një forcë vendimtare kundër komunizmit, fashizmit dhe formave të tjera të tiranisë.
Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Trump u shpreh se është e natyrshme që festimet për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së të nisin me një vlerësim për Mbretërinë e Bashkuar, duke kujtuar se lidhja mes tyre është shndërruar në një miqësi unike që nga viti 1776.
Në fund, ai vlerësoi edhe fjalimin e mbajtur nga Charles III në Kongres, duke e cilësuar atë si “fantastik”, pavarësisht referencave të ndjeshme që monarku bëri për NATO-n dhe dokumente historike si Magna Carta.







