×
E mërkurë, 21 Tetor, 2020

COVID-19/ OKB miraton rezolutën për armëpushim global

1 Korrik, 2020

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që kërkon armëpushim global humanitar 90-ditor në kuadër të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas thirrjes për armëpushim global nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres më 23 mars dhe negociatave që zgjatën tre muaj, projekt-rezoluta e përgatitur nga Franca dhe anëtari i përkohshëm i këshillit, Tunizia, u vendos për votim.

Meqenëse votimi nuk u mbajt në Këshillin e Sigurimit për shkak të pandemisë, vendeve anëtare iu dhanë 24 orë për të raportuar vendimet e tyre, dhe rezoluta u miratua unanimisht nga këshilli me 15 anëtarë.

Në rezolutë, në të cilën janë shprehur shqetësime të thella për pasojat shkatërruese të pandemisë, veçanërisht në zonat e konfliktit dhe luftës, Këshilli i Sigurimit kërkoi menjëherë një armëpushim global humanitar 90-ditor për të siguruar që ndihmat humanitare të dorëzohen në mënyrë të sigurt, të vazhdueshme dhe pa pengesa.

Armëpushimi nuk do të përfshijë DAESH-in, Al-Kaeda-n, Al-Nusra-n dhe individët dhe grupet e lidhura me këto organizata terroriste, siç përcaktohen nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Në rezulotë nuk gjendet asnjë referencë e drejtpërdrejt ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila u bë shkaktare e mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe Kinës dhe bllokoi Këshillin e Sigurimit, por përmendet kontributi i punonjësve shëndetësorë dhe humanitarë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në luftën kundër epidemisë.

Ndryshe, administrata Trump më 14 prill ndërpreu fondet për OBSH-në, të cilën e akuzoi për “favorizim të Kinës” dhe “dështim në luftën kundër pandemisë”, kurse më gjashtë javë më pas deklaroi se SHBA largohet dhe ndërpret lidhjet me këtë organizatë.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për