×
Tuesday, December 6, 2022

Ceremoni nderimi për Markun, Rama: S’ka më sportistë të braktisur, sistem shpërblimesh me vendim qeverie

August 27, 2022

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Shqipëri nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, por ka një sistem mbështetje dhe një sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kryeministrisë për të nderuar boksierin shqiptar, Florian Marku, Kryeministri informoi se vitin e kaluar e kanë përfituar shpërblimin e parashikuar nga vendimi i qeverisë për rezultate të spikatura në gara ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerë.

Ndërsa këtë vit, sipas kryeministrit, “deri tani e kanë përfituar shpërblimin 44 persona, 22 sportistë dhe 22 trajnerë”.

“Kjo më bën të besoj se ky është edhe rezultat i këtij sistemi të ri motivimi, mbështetje, që nuk vjen vetëm kur vjen rezultati, por vjen para se të vijë rezultati. Luiza nuk u syrgjynos në Afrikë, por u stërvit në lartësinë mbi 3000 metra në Kenia sepse shkenca thotë në atë lartësi stërvitja sjell shtim të rruazave të gjakut që ndikon në rezultate dhe është mbështetur për këtë nga bashkia e Tiranës. Shpërblimet janë përfshirë edhe për kampionët e Ballkanit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne nuk kemi më sot shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin”.

“Nuk kemi më sot harresa apo borxhe të akumuluara. E gjetëm malin me borxhe edhe për sportistët. Nuk kemi më sot sportistë shqiptarë që shkojnë ta kërkojnë fatin gjetkë se nuk nuk kanë asnjë gjë siç ndodhi me Erkand Qerimaj, i cili u detyrua të vishte fanellën e Bullgarisë për të dalë kampion në vitin 2012. Nuk ka më gjëra të tilla se ka një vendim që i parashikon të gjitha dhe sportistët mund ta gjejnë se çfarë u takon deri në vendin e 8 në kompeticionet e mëdha ndërkombëtare”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot nuk ka vetëm shpërblime për kampionët ndërkombëtarë të Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës”.

“Ndaj ne kemi sot në Ministrinë e Mbrojtjes dy kampionet olimpike të Kosovës, Norën dhe Distrian, në kuadër të këtij sistemi që kemi krijuar për t’i dhënë vazhdimësi nderimit financiar dhe moral të këtyre njerëzve, dhe jo për ta ndërprerë në momentin kur ata ndërpresin karrierën, por deri në fund”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se “është për të ardhur keq që teksa celebronim për Luizën, shumëkush derdhte vrerin e një mllefi të verbër duke na treguar se si është braktisur një kampion i dikurshëm i peshëngritjes, Ilir Suli”.

Kryeministri tha se “Ilri Suli është pjesë e mbështetjes dhe prej kohësh tanimë është në grupin e sportistëve që punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes”. “Një video e një kohe të mëparshme, kur ai ishte lënë pas dore, vazhdon e riciklohet sikur është sot. Shumëçka mund të ishte bërë më mirë, pot jo se nuk kemi dashur, por këto kanë qenë mundësitë. Teksa rrisim mundësitë rrisim edhe progresin”, tha Rama.



Comments are closed.