Buxheti 2027 për mbrojtjen, Rama: Vijon modernizimi i Forcave të Armatosura

10 Nov 2026 • 12:01
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se buxheti i vitit 2027 për mbrojtjen do të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura, forcimin e sigurisë kombëtare dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga përditshmëria e studentëve të vitit të parë Bachelor dhe kursantëve të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarëve në Bunavi, Vlorë.

“Një përditshmëri me disiplinë, stërvitje, përkushtim dhe përgjegjësi, ku çdo ditë është një hap më shumë drejt formimit të ushtarakëve të ardhshëm të Forcave të Armatosura”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Përgatitja e oficerëve të rinj në Bunavi

Në materialin e publikuar, kursantët tregojnë për përvojën e tyre gjatë kalimit nga jeta civile në atë ushtarake, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, përgjegjësisë dhe punës në grup.

Reklamë InterMedika

“Kalimi nga jeta civile në atë ushtarake është një ndjesi e papërshkruar, e cila të nxjerr nga zona e rehatisë dhe të bën të jesh më e përgjegjshme, më e disiplinuar dhe më e fortë”, u shpreh një prej kursanteve.

Një tjetër kursante theksoi se ndjekja e Kursit të Përgatitjes së Oficerit përbën një zgjedhje të vetëdijshme për t’i vënë njohuritë dhe aftësitë personale në shërbim të Forcave të Armatosura dhe sigurisë kombëtare.

Për të rinjtë që ndjekin këtë program, përgatitja ushtarake përfshin jo vetëm formimin profesional, por edhe përshtatjen me rregullat dhe përgjegjësitë e jetës ushtarake.

“Kam mësuar rregullin, disiplinën dhe punën në grup. Jam shumë e lumtur që më është dhënë mundësia të vij këtu dhe të shërbej për atdheun tim”, u shpreh një tjetër pjesëmarrëse në kurs.

Në mesazhin e tij, Rama e lidhi përgatitjen e brezit të ri të ushtarakëve me objektivat e qeverisë për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Sipas kryeministrit, investimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2027 synojnë të vijojnë procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s dhe aleatëve strategjikë.