Buxheti 2027 për arsimin, Kumbaro: 93,7 miliardë lekë, më shumë investime në shkolla

10 Nov 2026 • 15:40
Shpërndaje:

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar në Komisionin për Ekonominë, Financat dhe Punësimin projektbuxhetin e vitit 2027, duke bërë të ditur se fondet për sektorin e arsimit në tërësi do të arrijnë në 93,7 miliardë lekë, ose rreth 1,03 miliardë euro.

Sipas ministres, Ministria e Arsimit do të administrojë drejtpërdrejt një buxhet prej 67,95 miliardë lekësh, rreth 748 milionë euro, me një rritje prej 4,8% krahasuar me buxhetin e miratuar një vit më parë.

Në financimin e përgjithshëm përfshihen edhe fondet për arsimin profesional, grantet për bashkitë, të ardhurat e universiteteve publike dhe institucionet e tjera arsimore.

Reklamë Ola

“Parashikimi është që deri në vitin 2029 sektori të kalojë për herë të parë pragun e 100 miliardë lekëve”, deklaroi Kumbaro, duke shtuar se fondet e vitit 2027 janë 3,8 miliardë lekë më të larta se buxheti fillestar i vitit 2026.

Një mësues ndihmës për çdo nxënës me aftësi të kufizuara

Reklamë InterMedika

Një nga objektivat kryesore të buxhetit është zgjerimi i mbështetjes për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Kumbaro bëri të ditur se synohet kalimi nga raporti aktual prej një mësuesi ndihmës për katër nxënës, në një mësues për çdo nxënës të kësaj kategorie gjatë vitit 2027.

Sipas saj, numri i nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin parauniversitar ka arritur në 6.039, nga rreth 4.000 që regjistroheshin gjatë vitit shkollor 2024–2025.

Ministrja njoftoi gjithashtu planin për punësimin e 150 punonjësve të rinj të shërbimit psiko-social, në kuadër të masave kundër dhunës dhe për përmirësimin e mirëqenies së nxënësve.

Tekste dhe transport falas, zgjerohet programi “Pas Shkolle”

Projektbuxheti parashikon sigurimin e teksteve shkollore falas për mbi 215 mijë nxënës në vitin 2027 dhe 235 mijë nxënës nga viti 2028, me një financim vjetor prej rreth 12 milionë eurosh.

Ndërkohë, transporti falas do të vijojë për 38 mijë nxënës dhe rreth 17 mijë mësues që udhëtojnë drejt institucioneve arsimore, me një fond prej 13 milionë eurosh në vit.

Bursat për fëmijët nga familjet në nevojë do të indeksohen me normën vjetore të inflacionit, ndërsa numri i përfituesve parashikohet të rritet nga 4.000 në vitin 2027 në 4.375 në vitin 2029.

Ministrja njoftoi edhe zgjerimin e programit “Pas Shkolle”, duke shtuar deri në dy orë aktivitete në ditë dhe duke mundësuar qëndrimin e fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00.

Gjithashtu, do të vijojë mbështetja për përfshirjen në arsim të fëmijëve romë dhe egjiptianë, me rreth 2.100 fëmijë në kopshte dhe 9.800 nxënës në shkollat nëntëvjeçare.

Rreth 88 milionë euro për shkolla dhe kopshte të reja

Në fushën e infrastrukturës, Kumbaro bëri të ditur se gjatë periudhës 2024–2026 janë financuar 120 objekte arsimore, ndërsa për vitet 2027–2029 planifikohet ndërtimi ose rikonstruksioni i rreth 120 objekteve të tjera, me një fond prej 88 milionë eurosh.

Vetëm gjatë vitit 2027 do të vijojë financimi i 54 projekteve, përfshirë 40 shkolla dhe kopshte të arsimit bazë dhe 14 shkolla të mesme, me një fond prej 2,2 miliardë lekësh.

Një tjetër fond prej 700 milionë lekësh do të shërbejë për nisjen e rreth 40 projekteve të reja.

Për pajisjen e shkollave të rehabilituara, përfshirë klasat inteligjente dhe Liceun Francez të Korçës, parashikohen 980 milionë lekë gjatë periudhës 2027–2029.

Ndërkohë, për Liceun Francez të Korçës ka nisur puna për ndërtimin e një kampusi të ri, me një investim prej rreth 6 milionë eurosh, i cili do të përfshijë klasa, laboratorë dhe ambiente të tjera mbështetëse.

Në përfundim, Kumbaro theksoi se Ministria e Arsimit do të vijojë Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional, që synon trajnimin e 20–22 mijë mësuesve, si dhe përditësimin e kurrikulave në të gjithë sistemin parauniversitar.