Kupa e Botës 2026 po shfaq dy realitete të ndryshme sa i përket interesit të tifozëve. Ndërsa disa ndeshje kanë regjistruar kërkesë rekord për bileta, të tjera vazhdojnë të kenë mijëra vende të lira në stadiume.
Portugalia rezulton skuadra më e kërkuar e turneut dhe e vetmja që ka shitur plotësisht biletat për të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve. Interesi për takimet e Portugalisë, Argjentinës dhe disa prej favoritëve të tjerë ka qenë jashtëzakonisht i lartë, duke tërhequr tifozë nga dhjetëra vende të botës.
Sipas platformës StubHub, pas shortit të Botërorit në dhjetor 2025, kërkesa për bileta është regjistruar nga 94 shtete. Portugalia kryeson listën e skuadrave më të kërkuara, e ndjekur nga Kolumbia, Brazili, Anglia dhe Skocia.
Ndërkohë, ndeshja më e kërkuar deri tani mbetet përballja mes Portugalisë dhe Kolumbisë, e planifikuar të zhvillohet më 27 qershor në Miami Gardens.
Në krahun tjetër, disa ndeshje të fazës së grupeve po përballen me vështirësi për të mbushur stadiumet. Sipas raportimeve, nëntë takime kanë ende mbi 1 mijë bileta të pashitura, pavarësisht afrimit të turneut.
Mes tyre janë sfida si Jordani–Algjeri, Tunizi–Japoni, Afrika e Jugut–Koreja e Jugut dhe Algjeri–Austri, të cilat do të zhvillohen në stadiume me kapacitet shumë të madh.
Ekspertët e tregut të biletave e lidhin këtë fenomen me përmasat e arenave amerikane, shumica prej tyre stadiume të NFL-së me kapacitet nga 60 deri në 80 mijë vende. Përballjet mes skuadrave me më pak ndjekës globalë e kanë më të vështirë të mbushin këto impiante, duke detyruar shumë shitës të ulin çmimet për të shmangur humbjet.
Ndërsa ndeshjet e ekipeve më të njohura po shkojnë drejt shitjes së plotë, organizatorët vijojnë të përballen me sfidën e mbushjes së stadiumeve në disa prej sfidave më pak tërheqëse të fazës së grupeve.