Asnjë qeveri në botë nuk është e përgatitur në nivelin e duhur për ndryshimet e mëdha që Inteligjenca Artificiale pritet të sjellë në shoqëri. Paralajmërimi është bërë nga bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, gjatë një interviste për Reuters.
Gates u shpreh se zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie po ecën më shpejt sesa aftësia e qeverive për të hartuar politika, rregulla dhe masa mbrojtëse.
“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në masën që duhet të merret”, deklaroi ai, duke shtuar se institucionet kanë mbetur shumë prapa.
Bashkëthemeluesi i Microsoft, i cili prej vitesh ka mbajtur një qëndrim optimist ndaj potencialit të Inteligjencës Artificiale, ngriti shqetësime për pasojat e saj në tregun e punës, rrezikun e sulmeve të mundshme dhe varësinë që mund të krijojnë përdoruesit nga të ashtuquajturit “shoqërues” digjitalë.
Sipas tij, qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të kontrolluar rreziqet dhe për të shmangur pasoja serioze. Gates e krahasoi zhvillimin e Inteligjencës Artificiale me skenarët e filmave ku shfaqja e një kërcënimi të jashtëzakonshëm i detyron vendet rivale të bashkojnë forcat.
“Inteligjenca Artificiale është, në një farë mënyre, si një inteligjencë aliene. Ajo është këtu dhe ne duhet të bëjmë atë që shohim të ndodhë në këta filma”, tha Gates.
Ai bëri të ditur se shqetësimet e tij i ka diskutuar me disa liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij. Gates synon gjithashtu të zhvillojë një takim me presidentin kinez Xi Jinping gjatë këtij viti.
Fondacioni Gates investon 1 miliard dollarë
Pavarësisht rreziqeve, Gates beson se Inteligjenca Artificiale mund të sjellë përfitime të mëdha, veçanërisht për vendet dhe komunitetet më të varfra.
Fondacioni Gates ka njoftuar se do të investojë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për zgjerimin e aksesit në këtë teknologji. Investimi është pjesë e një programi më të gjerë, në kuadër të të cilit fondacioni planifikon të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë në vit.
Fondet do të mbështesin projekte në shëndetësi, arsim dhe bujqësi, si edhe krijimin e bazave të të dhënave të nevojshme për zhvillimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale në të gjitha gjuhët e botës.
Shëndetësia, fusha me potencialin më të madh
Sipas Gates, një nga fushat ku Inteligjenca Artificiale mund të sjellë ndryshimet më të mëdha është shëndetësia.
“Në sektorin e shëndetësisë, është e vështirë të mbivlerësohet madhësia e mundësive”, deklaroi ai.
Teknologjia mund të përdoret për të ndihmuar punonjësit shëndetësorë, për të përmirësuar diagnostikimin dhe për të përshpejtuar zbulimin e barnave dhe vaksinave të reja.
Gates dhe fondacioni i tij vlerësojnë se përdorimi i drejtë dhe shpërndarja e barabartë e Inteligjencës Artificiale mund të ndihmojnë në ngushtimin e hendekut mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Megjithatë, ai paralajmëroi se kjo do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë veprojnë shpejt dhe bashkëpunojnë për vendosjen e rregullave të përbashkëta.


