BE thirrje për lënien e armëve dhe nisjen e dialogut në Lindjen e Mesme

08 Jan 2020 11:22
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, theksoi se tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë në tërë botën dhe jo vetëm në rajon dhe bëri thirrje për lënien “urgjente” të armëve dhe zbatimin e dialogut.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borell, pas një takimit të Komisionit mbi Lidnjen e Mesme, von der Leyen fillimisht shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave të avionit të Linjës Ajrore të Ukrainës i cili sot në mëngjes u rrëzua në Iran.

Von der Leyen njoftoi se gjatë takimit të Komisionit është biseduar mbi zhvillimet në Irak, Iran dhe Libi.

Reklamë Ola

“Tensionet në rajon ndikojnë te të gjithë ne. Është e nevojshme që urgjentisht të ndalen armët dhe t’i lihet vend dialogut”, tha presidentja e Komsionit Evropian.

Ajo tha se kriza ndikon edhe në sfera si transporti, energjia, zhvillimi ekonomik dhe migrimi dhe shtoi se BE mund të kontribuojë në uljen e tensioneve në rajon.

Reklamë InterMedika

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Lartë Borell i cilësoi si “shumë shqetësuese” tensionet në Iran, Irak dhe në gjithë rajonin.

“Sulmi i fundit mbi bazat ajrore në Irak të përdorura nga SHBA dhe forcat e koalicionit, përfshirë evropianët, është shembulli i fundit i rritjes së tensioneve dhe konfliktit. Rritja e dhunës nuk është në dobi të askujt”, tha Borell.

Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike në dy baza në Irak ku janë të vendosura forcat e ushtrisë amerikane dhe ato të koalicionit ndërkombëtar.

Sulmi iranian erdhi pasi të premten e kaluar, kreu i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), Qasem Soleimani, mbeti i vrarë në një sulm amerikan me dron në Bagdad.

Vrasja e tij shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, që shpesh herë kanë qenë të nxehta që kur presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018 tërhoqi Washingtonin në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar i dha dekoratën e nderit më të lartë të vendit Soleimanit, ishte zotuar për “hakmarrje të rëndë” në përgjigje të vrasjes së tij.

– Shefi i qeverisë libiane të njohur ndërkombëtarisht ftohet në Bruksel

Në fjalën e tij para gazetarëve, Borell njoftoi se të premten në Bruskel do të organizohet një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të BE-së, në të cilin do të diskutohen zhvillimet në Iran, Irak dhe Libi.

Borell bëri të ditur se në Bruksel ka ftuar edhe Fayez al-Sarraj-in, kreun e Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur ndërkombëtarisht.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Khalifa Haftar, i cili ka nisur një fushatë për kapjen e Tripolit, dhe GNA në kryeqytet, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

AA

0 0 votes
Article Rating
0
Would love your thoughts, please comment.x