BE nis projektin “EU for Democracy”, thirrje për reforma dhe bashkëpunim politik në Shqipëri
Kuvendi i Shqipërisë konsiderohet një institucion kyç në procesin e integrimit evropian, ndërsa Bashkimi Evropian ka nisur një projekt të ri për të forcuar kapacitetet e tij në zbatimin e reformave.
Në çeljen e projektit “EU for Democracy”, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e vijimit të reformave për të përmbushur objektivin e mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Për të përmbushur objektivin ambicioz, pra mbylljen e negociatave deri në fund të 2027, Shqipëria duhet patjetër që të ruajë këtë ritëm reformash. Reformat që kanë të bëjnë me BE duhet të jenë të përgatitura mirë, të konsultuara plotësisht dhe të vihen në zbatim, pasi ndikojnë në çdo sektor të shoqërisë dhe në jetën e çdo qytetari. Këto reforma do të bëjnë të mundur që fondet publike të përdoren në mënyrë efiçente”, tha Gonzato.
Ai iu drejtua gjithashtu me një mesazh të gjithë spektrit politik, duke kërkuar përfshirje dhe bashkëpunim në këtë proces.
“Të gjithë duhet të jenë të përfshirë në avancimin e Shqipërisë në BE. Këto reforma kërkojnë këmbëngulje të madhe politike. Projekti dëshiron të ofrojë mundësinë e vet për të fuqizuar kapacitet e Kuvendit për të ndjekur nga afër të gjitha reformat, për të nxitur dialogun ndërpartiak, që është shumë i rëndësishëm, pasi legjislacionet nuk funksionojnë vetëm me anën e mazhorancës në votim”, u shpreh ambasadori i BE.
Një thirrje për bashkimin e politikës në procesin e integrimit u bë edhe nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.
Ndërkohë, opozita e pranishme në aktivitet iu përgjigj kësaj thirrjeje me kritika ndaj mazhorancës.
Projekti “EU for Democracy” është një partneritet mes Kuvendit, Bashkimit Evropian dhe International IDEA, që synon modernizimin e shërbimeve parlamentare, rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, median dhe shoqërinë civile.







