BE shqyrton mision të ri në Liban dhe zgjerimin e operacioneve në Hormuz
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojnë ngritjen e një misioni të ri në Liban pas përfundimit të mandatit të UNIFIL, si dhe zgjerimin e operacionit detar në Ngushticën e Hormuzit.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaya Kallas, deklaroi në Bruksel se vendet e BE-së po shqyrtojnë mundësi për të forcuar mbështetjen për forcat e armatosura libaneze, në një kohë kur paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme është në rritje.
“Evropianët janë të gatshëm të krijojnë një mision të ri për të mbështetur forcat e armatosura libaneze”, u shpreh Kallas, duke shtuar se po diskutohet edhe zëvendësimi i misionit aktual UNIFIL me një format të ri evropian.
Një tjetër temë kryesore e takimit është siguria e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit dhe e ardhmja e operacionit detar të BE-së “Aspides”.
Kallas theksoi gjithashtu se BE-ja po konsultohet me vendet e Gjirit Persik për arkitekturën e ardhshme të sigurisë në rajon pas përfundimit të konfliktit aktual.







