Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke vendosur në shënjestër 1,569 individë dhe subjekte të lidhura me industrinë ushtarake të Moskës.
Vendimi u mor këtë të hënë, më 12 tetor, nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, pas marrëveshjes së arritur më 7 tetor.
Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, deklaroi se kjo është zgjerimi më i madh i listës së sanksioneve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Sipas saj, më shumë se gjysma e masave të reja synojnë kompanitë dhe individët e përfshirë në zinxhirin e prodhimit të raketave balistike.
“Po e bëjmë shumë më të vështirë, më të ngadaltë dhe më të kushtueshme për Rusinë prodhimin e armëve që përdor për të vrarë ukrainasit”, deklaroi Kallas.
Paketa përfshin 826 kompani ruse dhe 743 drejtues të tyre, të lidhur me furnizimin e industrisë ushtarake me komponentë elektronikë, pajisje komunikimi, sisteme navigimi dhe materiale të tjera të nevojshme për prodhimin e armëve.
Masat parashikojnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve për subjektet e sanksionuara. Për individët e përfshirë në listë zbatohen edhe kufizime udhëtimi drejt BE-së.
Me vendimin e fundit, numri i përgjithshëm i individëve dhe subjekteve të përfshira në regjimin europian të sanksioneve për cenimin e integritetit territorial të Ukrainës i afrohet 4,600.
Zelensky: E ardhmja europiane e Ukrainës është afër
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë Forumit të Sigurisë në Varshavë, u ndal te përpjekjet e Kievit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se Ukraina po vijon punën për përmbushjen e kritereve të kërkuara, duke shprehur besimin se integrimi europian i vendit po afrohet.
“E ardhmja europiane e Ukrainës është afër”, u shpreh Zelensky.
Miratimi i sanksioneve të reja vjen në një kohë kur Bashkimi Europian kërkon të shtojë presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Moskës, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.


