“BE duhet të marrë masa të jashtëzakonshme, ndryshe jemi të gjithë të humbur”
Bëhet fjalë për një betejë që në Europë të gjithë ne mund ta fitojmë vetëm së bashku, përndryshe do të jemi të gjithë humbës dhe për këtë BE duhet të marrë masa të jashtëzakonshme, deklaroi sot në Senat kryeministri italian, Giuseppe Conte.
“Unë do ta përsëris këtë pozicion edhe në një konferencë video të G20-s dhe më pas në samitin e Këshillit Europian”, vazhdoi Conte duke përsëritur se “Italia është në favor të instrumentit Covidbond dhe jo të Koronabond”.
“Madje, do të preferoja t’i quaja bonot europiane të Rimëkëmbjes”, theksoi ai.
“Përhapja e pandemisë së koronavirusit ka shkaktuar, në Itali dhe Europë, një krizë të paparë, e cila po e ekspozon vendin tonë në një provë shumë të rëndë. Nevoja për ta përmbajtur infeksionin po na detyron të përshtasim e veten me zakonet e reja të jetës, me një ndikim negativ në të gjithë sistemin e prodhimit, që përfshin bizneset, familjet dhe punëtorët”, theksoi kryeministri italian.
”Kjo është një provë shumë e ashpër që vjen nga faktorë ekzogjenë, për të cilët ne nuk mund të llogarisim asgjë. Ky virus është një armik i padukshëm, ai nuk njeh kufij dhe është si era, fryn aty ku dëshiron”, shtoi ai.
”Jam krenar që i përkas një komuniteti me forcë dhe bukuri të rrallë”, përfundoi Conte duke marrë duartrokitje në Senat.
Eunews.al